Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit, ka vendosur të përjashtojë nga Partia Demokratike, ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.
Mbledhja e kryesisë ka mbaruar në orët e para të mëngjesit sipas burimeve të Albanian Post pranë kampit demokrat.
Tetë anëtarët e tjerë të përjashtuar, janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.
Një seri emrash gjithashtu, janë pezulluar përkohësisht nga organet e demokratëve.
Ndër këta të fundit, bëjnë pjesë emra të rëndësishëm si Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.
Kjo lëvizje e Bashës dhe kryesisë së demokratëve, është edhe ajo më drastike, pas protestës së zhvilluar nga Berisha dhe mbështetësit e tij më 8 janar në selinë blu.
Duket se kreu dhe strukturat e PD-së nuk e kanë toleruar mësymjen e godinës nga ish-kryeministri i vendit, ku u dëshmuan skena dhune e vandalizmi, deri në ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, e cila pastroi zonën dhe i shpërndau demonstruesit.
Vendimi po ashtu vjen thuajse ekzaktësisht katër muaj pasi Basha e pezulloi Berishën nga Grupi Parlamentar.