E ashpër ka qenë përgjigjia e PD kundrejt presidentit Ilir Meta i cili tha se përgjegjës për situatën politike dhe zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike është kryedemokrati Lulzim Basha.
Selia blu bën të qartë që Meta dhe njerëzit e tij të qëndrojnë larg PD, ndërsa shprehet se koha kur sipas saj PD përdorej si mburojë nga presidenti ka marrë fund më 9 shtator kur ish-kryeministri Sali Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar i partisë.
“Ilir Meta dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë së Partisë Demokratike. Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 Shtator, kur PD u distancua nga Sali Berisha”, thuhet në deklaratën e PD.
Në deklaratë PD thekson se ndërhyrjet e Metës dhe të Ramës në PD dëshmojnë sipas saj “trekëndëshin e bermudës”, me të cilin i është referuar presidentit, kryeministrit dhe Berishës.
“Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, njëlloj si Edi Rama, në një debat të brendshëm në Partinë Demokratike, tregon atë që kemi thënë që në nisje, që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë. Pastrimi i llumit të tranzicionit është mision për çdo demokrat, për çdo qytetar shqiptar dhe është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara drejt të ardhmes europiane”, thotë PD.
Duke folur për situatën politike dhe zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, Meta tha se përgjegjësitë për dështimet e opozitës i takojnë kreut të PD, Lulzim Basha. “Përgjegjësia ekskluzive për dështimet e opozitës i takojnë Lulzim Bashës”, ka thënë Meta.