Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar këtë të martë fotot të ish-kryeministrit Sali Berisha me Enver Hoxhën.
Ai e ka quajtur turp dhe shëmti gjestin e të rinjve që hodhën vezë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, ndërsa ai po mbërrinte në takimin me gratë demokrate.
Sipas Bardhit, ai është një model i vjetëruar i Enver Hoxhës, duke theksuar se e shkuara duhet lënë pas.
“Çfarë shëmtije, çfarë turpi! 20 antimitingashët, si vullnetarët shëtitës të Enverit, jo vetëm model i vjetëruar dhe vetëdiskretitues, por prova më kuptimplotë se e shkuara duhet lënë pas përgjithmonë. Keqpërdorimi i grave dhe të rinjve si mjet dhune i pakicës brenda të njëjtës familje politike tregon se porositësi e ndien fundin e vet politik. Për PD, gratë dhe të rinjtë janë gur themeli për ringritjen si një forcë moderne drejt pushtetit”, shkruan ai krahas fotos.
Kujtojmë se një grup të rinjsh gjuajtën me vezë kryedemokratin Basha këtë të martë në Tiranë.