Sipas revistës “The Economist”, likuiditeti i bollshëm duhet të ndihmojë tregjet, por mund të shkaktojë dhe trazira.
Pranverën e 2020-tës, në tregjet e obligacioneve në SHBA, problemi ishte mungesa e parave kesh.
Sot po ndodh krejt e kundërta; para të thata ka me bollëk.
Ato burojnë nga reagimi i Rezervës Federale ndaj krizës së vitit të kaluar.
Banka qendrore i qetësoi tregjet duke blerë sasi të mëdha bonosh me para të porsakrijuara, dhe i ka vazhduar blerjet me një ritëm që llogaritet në të paktën 120 miliardë dollarë në muaj.
Vetëm se kjo tepricë monedhash të gjelbra po i jep dhimbje koke bankave dhe investitorëve.
Fakti që Banka Qendrore blen bono me para tingëllon si një këmbim i thjeshtë asetesh, por në fakt mund ta tejfryjë sistemin bankar.
Ekonomistët thonë se likuiditeti i tepërt rrezikon krijimin e të ashtëquajturave “flluska të aseteve”, siç ndodhi me pasuritë e patundshme përpara krizës së 2008-tës, dhe më pas me fermat, e kjo shtrembëron tregjet financiare.
Në të gjithë botën, ka ndodhur që likuiditeti i vazhdueshëm i Bankës Qendrore ka forcuar më shumë aktivitetet financiare se sa mallrat dhe shërbimet që prodhojnë rritje në ekonominë reale, shtojnë ata./Top Channel