Banda e grabitësve të mitur sulmonin bashkëmoshatarët/ “Më të fortët e sheshit…”

Nuk ashtë vetëm varfëria e tejskajshme, por edhe modelet që serviren se paratë e shpejta mund të bëhen duke kryer një krim, që e kanë shtyrë një grup minorenësh të planifikojnë grabitje gjatë gjithë muajit dhjetor duke sulmuar bashkëmoshatarë.



Ky rast u hetua nga policia dhe u dorëzua në gjykatë për 17 episode vjedhjesh.

“Ne jemi të fortët e sheshit, ne jemi ata që bëjmë terrorin në shesh”. Me këtë frazë, minorenët, që të gjitha nxënës në shkolla të ndryshme, u drejtoheshin me doreza hekuri dhe thika bashkëmoshatarëve të tyre që i pikasnin në distancë duke i përzgjedhur nga veshja që ata mbanin. Idenë për të grabitur fëmijë të moshës së tyre sepse sikurse deklaroi njëri prej tyre, ata frikësoheshin lehtë e dha njëri nga të miturit që u tha shokëve “duhet të bëjmë para”.

Përditë, duke mos hezituar, fëmijët zgjidhnin errësirën dhe zonën nga sheshi Skënderbej deri pranë AKSHI-t dhe pasi drejtonin armët e ftohta pyesnin: sa lekë ke me vete.

Por vetëm njëri prej tyre u ngarkua me përgjegjësi, ai është 17 vjeç, tre të tjerët të moshës 14 vjeç shpëtuan për shkak të drejtësisë miqësore për minorenë.

17-vjeçari sipas dosjes që iu tregua Top Channel rrëfen se prindërit e tij po divorcohen dhe muajt e fundit nënë e bir lëvizën në shtëpi të ndryshme me qera, pasi nuk kishin para të paguanin.



Ai u lut që t’i jepnin mundësi të shkojë në shkollë.

Për 17-vjeçarin, gjykata vendosi detyrim paraqitje, ndërsa për 14-vjeçarët emrat e tyre thjesht janë shkruar në kartelat e policisë kriminale.

Author: morevesh