Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka shkruar këtë të premte në shtëpinë e dëshmorit Faik Myrtaj. Ai thotë se protestuesi socialist që u vra tragjikisht në 21 Janar 2011 nuk i njohu dot nipin dhe mbesat, ndërsa urdhëruesi sot rreh gjoksin.
“Në Fier, në familjen e dëshmorit Faik Myrtaj në përkujtim të shokëve tanë të 21 Janarit. Faiku një burrë i mirë e i paqtë nuk i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse ra dëshmor duke protestuar kundër regjimit të Sali Berishës 12 vite më parë.
Ajo që të irriton më shumë sot pas 12 vitesh është ironia ndaj drejtësisë, ndërsa urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin. Dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend. Edhe pse u vërtetua bereta e komandantit të gardës PZ52778, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatat pa autor.
E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër Aleks Nika, e cila sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse duhet t’i kishte kaluar SPAK prej shumë kohësh tashmë. Prej disa muajsh kërkesa e familjarëve, avokatit dhe apeli im publik i përsëritur pret përgjigje. SPAK të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011.
I paharruar qoftë kujtimi i katër shokëve tanë: Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika”, shkruan politikani socialist Taulant Balla.