Dy kartëmonedha të reja do të hidhen në treg, nga data 15 qershor, ajo e vlerës 10.000 lekëshe dhe kartëmonedha tjetër prej vlerës 1000 lekësh.
Banka e Shqipërisë, njoftoi se paraditen e të martës do të prezantojë dy prerjet e reja të kartëmonedhave. Një foto zyrtare e 10 mijë lekëshave nuk ka dalë deri tani. Në rrjet qarkullojnë vetëm montazhe.
Është hera e parë që në Shqipëri dalin në qarkullim bankënota me vlerë 10 mijë lekë të rinj.
Dalja e tyre është njoftuar disa kohë më parë dhe u shoqërua me kritika nga ekspertë të financave.
Ata thonë se nxjerrja e kartëmonedhave me dyfisht vlerë më të lartë se kartëmonedha ekzistuese më e fuqishme, 5 mijë lekë, është tregues i pastër i zhvlerësimit të lekut.
Nga njëra anë, bizneset e vogla përballen me pamundësi që të mbijetojnë duke i parë më shumë në ëndërr kartëmonedhat 5 mijë lekëshe.
Nga ana tjetër, bizneset e mëdha dhe tregu valutor, në veçanti kambistët, po e shohin si lajm të mirë për të qarkulluar më lehtë sasitë e mëdha të parave.
Një tjetër tentativë e Bankës së Shqipërisë është nxjerrja e monedhave 200 lekë. Ekspertët thonë se nëse ndodh kjo, do të ketë një efekt të qartë në zhvlerësimin e lekut.