Një atentat me eksploziv është regjistruar në orën 13:56 të ditës së sotme në Shkozet të Durrësit. Objektivi ka qenë shtetasi me iniciale A.M., 37-vjeç, një person me precedent të theksuar kriminal, pjesë e grupit të ‘Rrumit të Shijakut’. Një sasi e vogël tritoli, e vendosur në gomën e pasme të automjetit tip Golf 6, ka shpërthyer teksa në mjet po udhëtonte i vetëm shtetasi me iniciale A.M.,. 37-vjeçari doli i pa lënduar nga shpërthimi ndërsa pak minuta para se të ndodhte ngjarja, la në banesë gruan me fëmijën. Zona në të cilën ka ndodhur ngjarja ka kamera të shumta sigurie të bizneseve që e cila do të bëjë të mundur mbase zbardhjen e shpejtë të ngjarjes. 37 vjeçar, njihet si një person me precedentë penalë. Ai është arrestuar më 30 gusht të 2021 me dy të tjerë, pasi po planifikonin një vrasje. Shtetasi me iniciale A.M., 37-vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ndërkohë më 30 dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të gjykatës i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij. Ai ishte dënuar me 2 vjet burgim pas arrestimit në gusht 2021 për mosbindje të urdhrit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit. Mësohet se ai më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me Aleksandër Lahon i njohur si ‘Rrumi’, një personazh i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Reagon policia dhe 37-vjeçari
Nga policia mësohet se ekspertët xhenierë po hetojnë vendin e ngjarjes dhe po mbledhin kampionë për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse si dhe mekanizmin e shpërthimit që u përdor sot. Nga këqyrja paraprake dyshohet se ka qenë një sasi e vogël tritoli e shpërthyer me detonator me celular. Sidoqoftë raporti i ekspertëve do ta saktësojë më mirë mekanizmin r shpërthimit dhe llojin e lëndës plasëse. “Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale. Në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njoftoi dje policia. Ndërkohë sipas informacioneve shtetasi me iniciale A.M., 37-vjeç, ka deklaruar në polici se nuk ka dijeni, lidhur me faktin se kush i ka vënë sasinë e eksplozivit në makinë. “Nuk e di kush e ka bërë”, mësohet të ketë thënë 37-vjeçari.
Mbetet në qeli 31-vjeçari që u kap me heroinë
Nga ana tjetër, shtetasi me iniciale A.P., 31-vjeç, që u kap pak ditë më parë me 41.7 kg heroinë në bagazhin e makinës, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Ndryshe nga refuzimi para oficerëve të Policisë Gjyqësore, para togave të zeza ai ka deklaruar se po shkonte në Rinas për të dërguar një porosi motrës së tij. Ai pretendon gjithashtu se nuk ishte në dijeni të drogës në makinën e tij, duke ngritur alibinë se ia kanë futur në makinë. “Kisha marrë një porosi nga motra t’ia çoja në Rinas. Mi futën në makinë dhe më thanë “ik”. Kurohem në mënyrë të vazhdueshme, pasi vuaj nga epilepsia. Ngarkesën ma kanë futur në makinë pranë mbikalimit të Rinasit, më kanë ngatërruar”, ka deklaruar ai para togave të zeza. Avokati ka kërkuar ti bëhet ekspertiza lëndës narkotike ndërkohë kërkoi burg me afat me pretendimin se vuan nga epilepsia. Gjykata e Tiranë ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Në operacion nuk kanë marrë pjesë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Tiranës, ndërsa është finalizuar nga Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshëm. Ky seksion kishte informacione rreth ngarkesës së drogës, dhe nisur nga kjo, nisën mbajtjen nën vëzhgim të saj. Ajo i është dorëzuar shtetasit me iniciale A.P., nga një person tjetër, i identifikuar me iniciale R.G., që kishte rolin e transportuesit, dhe shpallur në kërkim nga Policia. Kjo e fundit, vendosi të mos ndërhynte deri në momentin e dorëzimit të ngarkesës, dhe në këto rrethana, ky shtetas, emrin e të cilit autoritetet e mbajnë të fshehtë, ka arritur të largohet. Ka dyshime se droga vinte nga Turqia dhe porositës i saj të jetë një eksponent i njohur i trafikut të narkotikëve në zonën e Kurbinit. Droga me vlerë mbi gjysmë milion euro, është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Droga transportohej me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi me iniciale A.P., 31-vjeç, banues në Fushë-Kuqe të Kurbinit.