TIRANË– Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është vënë në pranga bashkë me dy persona të tjerë. Dosja.al ka mësuar se Koka është arrestuar me urdhër të Porkurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizar. Paraditen e sotme Forcat Operacionale janë paraqitur në qytetin e Durrësit dhe kanë prangosur Kokën. Mësohet se urdhër-arresti është lëshuar një ditë më parë, por është ekzekutuar sot dhe mban firmën e prokurorit Klodian Braho e gjyqtarit Erion Bani. Ndaj Kokës rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Identitetet e dy personave të tjerë që u prangosën, nuk dihen ende.
Koka vendosi që më 1 shtator të këtij viti, i zgjedhur si deputet nga votat e qytetarëve të Durrësit nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të japë dorëheqjen nga mandati vetëm nëntë ditë para betimit. Në një postim në rrjetet sociale, Koka shkruante se i kishte ardhur koha për të mbyllur ciklin, por si fitues.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa në vitin 2009 u bë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI. Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në shkurt 2019, ndërsa në nëntor 2020 ai iu bashkua Partisë Socialiste./Dosja AL