Në Turqi, autoritetet lokale arrestuan më shumë se 100 ndërtues shtëpish në 10 provinca të prekura nga tërmeti i së hënës. Bëhet fjalë për persona të lidhur me disa prej ndërtesave të shembura, të dyshuar se kanë shkelur rregullat e ndërtimit në vend. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Anadolu.
Pas tërmeteve katastrofike të vitit 1999, Turqia rishikoi rregullat për ngritjen e ndërtesave të banimit në vend. Një kod për ndërtimin e banesave u miratua në vitin 2007 që merrte parasysh edhe kërkesat e nevojshme për mbrojtjen nga tërmetet.
Ministria e Drejtësisë ka autorizuar rreth 150 prokurorë vendas për të ngritur “njësi hetimi të krimeve të lidhura me tërmetet”. Prokurorët do të kenë mundësi të nisin çështje penale kundër të gjithë “ndërtuesve dhe autorëve” të ndërtesave që shkelën kodet e vendosura në ligj pas fatkeqësisë tsë ngjashme në 1999.
Një nga këta sipërmarrës është Mehmet Yasar Coskun, përgjegjës për ndërtimin e një godine luksoze 12-katëshe me 250 apartamente në provincën e Hatay, e cila u shkatërrua nga tërmeti. Ai u arrestua të premten në aeroportin e Stambollit teksa po përpiqej të largohej nga vendi për në Mal të Zi. Prokurorët e Stambollit urdhëruan arrestimin e tij pasi zbuluan planin e tij për t’u larguar.