Arrestimi i Lefter Kokës, Basha: Ja kush eshte ‘peshku i madh’ ?

TIRANË– Kryedemokratik Lulzim Basha nuk mjaftohet me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili u vu sot në pranga. Në një prononcim për mediat nga selia blu, Basha tha se pa shkuar te arrestimi i ‘peshqve të mëdhenj’ të aferës së korrupsionit, gjithçka do të mbetet një farsë. Kreu i [artisë Demokratike kërkoi që të vihen para drejtësisë për aferën e korrupsionit për të cilën akuzohet ish-ministri Koka. Sipas Bashës, kjo gjë tregon se denoncimet e bëra nga Partia Demokratike që nga viti 2018, qëndrojnë.

“Arrestimi i sotëm i ish-ministrit të Edi Ramës, Lefter Koka është një tjetër provë që fakton drejtësinë. Faktohet drejtësia e denoncimeve të Partisë Demokratike. Është dita sot që të kujtojmë se Partia Demokratike nisi që në vitin 2018 denoncimin për 400 milionë euro që u janë zhvatur taksapaguesve. Arrestimi i ministrit të Ramës tregojnë se denoncimet tona kanë qenë të drejta, se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Nuk ka qytetar shqiptar që ta besojë se ky është peshku i madh. Të gjithë e dinë që 17 vendime qeverie nuk i nxirrte dot një ministër, emrat e vërtetë që qëndrojnë pak kësaj afere, pas këtij abuzimi me 400 mln të shqiptarëve janë të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtirit dhe surrogatëve të tjerë, dy kryetarëve të tjerë të bashkive të tjera. Ndaj për sa kohë nuk ka veprim të plotë nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë që ka varfëruar xhepat e shqiptarëve. Nuk mund të themi se sot është një ditë triumfi, është fillimi i një procesi por nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se çfarë bëhet me kokat e kësaj afere me kreun e qeverisë që kaloi 17 vendime qeverie brenda një dite. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që u arrestua sot? Kjo dëshmon edhe një herë rëndësinë e madhe të Komisionit Hetimor për inceneratorët dhe rikthen edhe njëherë vëmendje e qytetarëve se ne po e bëjmë këtë betejë. Fajtorët janë zbuluar para opinionit publik, por pa shkuar tek arrestimi i ‘peshqve të mëdhenj’ të aferës së korrupsionit, gjithçka do të mbetet një farsë,”- tha Basha ndër të tjera./dosja.al

Author: admin