Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po kryen një vlerësim të rrezikut, para se të vendosin për transferimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo, për të evituar dërgimin e tij në ambiente ku qëndrojnë individë që për shkak të detyrës që ka mbajtur, mund të konsiderohen rrezik për të.
Kështu ish-ministri do të vijojë të qëndrojë edhe për disa ditë në ambientet e paraburgimit 313, ku prej datës 4 Shkurt, është vendosur në pritje të transferimit në një burg të sigurisë së zakonshme, për të vuajtur dënimin me 3 vite e 4 muaj burg.
Ai është duke qëndruar në godinën numër 2, ambientet e reja të paraburgimit 313.
Tahiri u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” me argumentin se ka mbajtur lidhje me kushërinjtë e tij të cilët ishin të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e narkotikëve.
Avokati Maksim Haxhia në daljen për media pas vendimit paralajmëroi rekurs në Gjykatën e Lartë ku do të kërkojë pafajësi, ndërkohë Kodi i Procedurës Penale i lejon ish-ministrit të kërkojë edhe shtyrje të ekzekutimit të këtij dënimi nëse plotëson disa nga kushtet e përcaktuara.
Ndërkohë Haxhia tha për EuroNews se ‘Saimir Tahiri u dënua për t’i treguar Evropës se Shqipëria ka bërë një reformë të denjë në drejtësi dhe i ka plotësuar kushtet për t’u integruar në Bashkimin Evropian’.
Sipas avokatit, arrestimi i Tahirit i hap rrugën arrestimit të shumë zyrtarëve e ish-zyrtarëve të tjerë.
“Reforma që trumbetohet sot kërkon koka turku. E para t’i thotë Evropës që futëm ministrin e Brendshëm në burg, do fusim dhe ca të tjerë, që plotësuam kushtin për në BE. Dhe e dyta nëse e bëjnë këtë për Tahirin që është i pafajshëm, të tjerë që kanë hedhur edhe një firmë do shkojnë në burg. Se u vendos kufiri në minimum; kur dënohet ministri i brendshëm të tjerët nuk do ta diskutojnë dënimin me burg”, tha avokati.
Haxhia e cilësoi absurd faktin që një ish-ministër i Brendshëm të jetë në të njëjtin vend vuajtjeje dënimi me të burgosurit e tjerët. Detyra që ka mbajtur sipas tij, i rrezikon jetën Tahirit, ndaj ai duhet të vendoset në një izolim, ‘jo të sigurisë së lartë që të rrijë i mbyllur, por të jetë i shkëputur nga të tjerët’.
Ai tha se do drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të pezulluar ekzekutimin e dënimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm.
“Hapi i parë është përgatitja e rekursit sapo të zbardhet vendimi që të shohim argumentet, sepse ato argumente që pamë në media janë skandal. Duke qenë përpara faktit që Gjykata e Apelit rëndoi pozitën e të pandehurit ne do t’i drejtohemi Strasburgut, Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për të pezulluar ekzekutimin e dënimit”, u shpreh avokati i Tahirit.