Arbër Çekaj e ngarkonte vetë kokainën, erdhi me një vajzë me emrin …/ Media ekuadoriane zbulon episodin

“Pesëmbëdhjetë vjet më parë, mafia ballkanike gjeti një ‘degë’ në Ekuador për operacionet e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Kjo organizatë kriminale kishte mbërritur në Kolumbi dhjetë vjet më parë, por lideri kriminal me bazë në vendin e kafesë, serbi Darko Sariç, nuk arriti atë që ‘misionari’ i dërguar në Ekuador arriti në një vit: u bë trafikanti më i madh i drogës në Ballkan.”




Kështu e hap reportazhin media ekuadoriane “Expreso”. Dhe misionari për të cilin ajo shkruan dhe që u bë trafikanti më i madh i drogës në Ballkan, është shqiptari Arbër Çekaj.

“Ky është shqiptari Arbër Cekaj, të cilit në vitin 2008 iu deshën vetëm disa muaj për të krijuar imazhin e një biznesmeni eksportues bananeje dhe për të arritur marrëveshje me ferma të ndryshme, legalisht, që t’i shisnin produktin dhe ta dërgonin në kontejnerë në kontinentin e vjetër. Për shtatë vjet, i huaji operoi pa asnjë problem dhe as nuk u hetua, as nuk figuronte në ndonjë listë të dyshuarish”, vijon artikulli.




Media ekuadoriane shkruan se mes frutave ekzotike, Arbër Çekaj fshihte pako me kokainë që në Shqipëri në atë kohë kishte një çmim për kilogram të paktën 65 mijë dollarë me shumicë.

“Nuk dihet se sa alkaloid ka arritur të transportojë, por dihet se sa ka pasur qëllim të trafikonte në ngarkesën e fundit: 32 blloqe, të shpërndara në katër kuti bananesh. Me vlerat e referencës llogaritet se ky mall i paligjshëm i kalonte 2 milionë dollarët”, thotë shkrimi.

Akush nuk e hetonte shqiptarin dhe zbulimi i tij u bë fare rastësisht dhe nga kurioziteti i një punonjësi ngarkimi në fermën e bananeve La Rosita, e vendosur në famullinë rurale Chobo, në kantonin Milagro, në Guayas. Episodi është vërtet interesant dhe tregon zbulimin e veprimtarisë së Arbër Çekaj:




“Në procesverbalet gjyqësore, detajohet se pak pas mesditës së 4 prillit 2015, shqiptari ka mbërritur në vendngjarje për të mbyllur blerjen e më shumë se një mijë kutive me banane, të cilat janë ngarkuar në një kontejner në prani të tij.

Ai kishte mbërritur me një Hyundai Tucson gri, në shoqërinë e një gruaje të re, Sara. Aty ishin edhe pronari i plantacionit të bananeve dhe përgjegjësi i kontrollit të cilësisë. Ata me sa duket nuk e vunë re kurrë kur Cekaj ​​shkarkoi katër kartona nga makina e tij dhe u kërkoi portierëve që t’i vendosnin edhe ato në kontjner, para se ta mbyllnin.

Kjo situatë në dukje e çuditshme do të kishte tërhequr vëmendjen e një punëtori tjetër, i cili donte të dinte se çfarë kishte në kuti dhe kështu ai e kapi njërën dhe e fshehu për ta kontrolluar më vonë.




Më pas, rreth orës 14:00, kur ngarkesa ishte larguar, me kujdestarinë e shqiptarit në drejtim të një porti detar në Guayaquil, punëtori që stivonte kutitë hapi kartonin dhe zbuloi pakot e drogës. Ai e raportoi situatën tek punëdhënësi i tij dhe ai nga ana e tij në Polici.

Kështu, në kryqëzimin e njohur si T de Yaguachi, drejtuesit të rimorkios iu kërkua të ndalonte. Madje ka pasur një diskutim mes Cekajt dhe përgjegjësit për cilësinë e frutave, pasi ky i fundit dyshohet se kishte banane të pjekura, pa e ditur se çfarë ishte pjesa tjetër e përmbajtjes.

Më pas mbërriti Policia dhe me sa duket krimineli ballkanik nuk ishte më aty dhe deri në mbylljen e këtij edicioni, afro tetë vjet më vonë, ai nuk ishte gjetur më.”

Author: morevesh