Chelsea ka mbetur pa pronar pas qeveria britanike vendosi t’i hiqte klubin Roman Abramoviç, ndërsa ka caktuar si afat të premten për oferta të mundshme për blerjen.
Duket se një ofertë e rëndësishme ka ardhur nga sheiku arab që zotëron “Saudi Media Group”, i cili ka bërë një ofertë prej 3,2 miliard eurosh.
Lideri i këtij projekti është Mohamed Alkhereiji, i cili njihet si një tifoz i skuadrës londineze dhe ka një fond investimi me qendër në Arabinë Saudite. Ai nuk ka lidhje direkte me familjen mbretërore që zotëron Njukasëllin ndaj nuk ka pengesa ligjore për të marrë një klub të Premier Ligës.
Sipas të gjitha informacioneve të mediave angleze, janë mbi 20 grupe që kanë shfaqur gatishmërinë të blejnë Çelsin, një interes i paprecedent për një klub futbolli, edhe pse bëhet fjalë për një çmim stratosferik për shitjen e tij. Qeveria britanike mësohet se ka autorizuar shitjen e Çelsit në formën e një ankandi duke i besuar jo vetëm ofertës më të lartë, por asaj që ka likuiditete për të investuar e përballuar shpenzimet, si dhe një plan të qartë sportiv.