Nga Anila Hoxha.
Sekuestrimi i 119 kilogramë kokainë që solli arrestimin e disa personave, midis tyre shoferi dhe të punësuar në kompaninë Zico, ka aq shumë përplasje faktesh sa që të bind se gjithçka lidhet me trafikun e drogës, ndodh në një mjedis te kompromentuar, me një njësi antidroge që duket se është krejt jashtë aktualitetit.
Ose trafikantet përtonin të shkarkonin 20 ton me banane dhe ndaj telefonuan policinë, e cila pasi autorizoi punëtoret e ngarkim shkarkimit, dëgjoi ankesat e tyre se ca arka peshonin më pak dhe përveshi mëngët e kqyri 100 arka. Ata e telefonuan policinë që të shkonte në Vaqarr pasi kishin ndodhur ca ngjarje të çuditshme ndërkohe dhe policia nuk ishte kurrkund. Ose sërish trafikantët mes tyre shoferi, pasi u menduan dhe u këshilluan me ‘bossin’ e firmës, shtetasin T.M., që jeton në USA vendosën të ishin “policë” .
Po të besosh dosjen , tregohet se ky i fundit telefonoi zyrtarë policie, duke i treguar se me ngarkesën e bananeve kishte vënë re disa parregullsi. Pa ironi, për të qenë të saktë, në datën 28 dhjetor 2021 sipas menaxherit të shitjeve M.M. në burg, menjëherë sapo kamioni me 20 ton banane doli nga porti në afërsi të një pike karburanti në Romanat, shoferit (edhe ai në burg) i bënë shenjë ca njerëz të maskuar që të ndalonte.
‘Ata ishin 4 veta – thotë shoferi, ishin me bluza dhe kapuçë , dhe pastaj i kanë thënë : jemi shteti , hape krahun. Pasi e kërcënuan “mbylle gojën se do të zhduk po hape gojën”, ata kanë kaluar në pjesën fundore të kontenierit, kanë qëndruar aty rreth 30 minuta dhe kanë kontrolluar.
Shoferi ka vijuar udhëtimin me avari të tjera pasi zbritën “pasagjeret” e çuditshëm si dëmtimi i gomës. Një ditë më pas në 29 dhjetor, ai njofton menaxherin e shitjeve i tregon fije për pe çfarë i ndodhi madje duke i rrëfyer edhe se si pati probleme me gomat. Në këtë datë, punëtorët ndalohen që të ndërpresin shkarkimin e bananeve pasi ngarkesa kishte probleme. Por ndërsa u njoftuan zyrtarët e policisë, ajo mbërriti një ditë më pas, pra në 30 dhjetor. Në prani të policisë, punëtorët kanë nisur shkarkimin e ngarkesës, teksa kanë treguar se disa janë më pak të rënda se të tjerat. Punonjësit e policisë- thuhet ne dosje – panë se poshtë 7 arkave ishin disa pako drejtkëndëshe që u kuptua që ishte drogë”.
Me pak fjalë, kjo është historia e zbulimit të 119 kilogramë me kokainë, të dërguar sërish nga Ekuadori, që edhe në filmin më të dobët me trafikantë dhe policë nuk ngjan aspak si aksion, por si komedi. Trafikantët e kokainës, që e kanë kthyer vendin tonë në një vend të sigurt të futjes së ngarkesave me kokainë janë konsoliduar e sofistikuar.
Por, kur çështjeve nuk u shkohet deri në fund do të ketë histori, si kjo e aksionit Romanati. Çështje të pahetuara, duke nisur nga rrëmbime për pengje droge si Jan Prenga, për të cilin Gentian Doci nuk u prangos asnjëherë, për të shkuar tek operacione të dështuara ku trafikantët arrijnë të venë kollare, duke lënë vetëm GPS e duke vjedhur kokainën, dhe kjo e fundit tregon se trafikantët hyjnë në port e vjedhin ngarkesat. Ose nëse ka ndodhur dëmi rrugës, ata veprojnë rrugëve, aty ku policia këmbëngul se e mbulon territorin 100 përqind. Ndalojnë kamionë, kontrollojnë në rast se droga është vjedhur në një port tjetër dhe mandej zbresin. Përse ca trafikantë, nëse rrëfimi është i vërtetë, e ndaluan makinën? Nga kush ka frike biznesmeni që administron kompaninë e bananeve? Ka vetëm një përgjigje, çdo veprim i vonuar, arrestim dhe dërgim në burg me synimin që provat të gjenden më pas, janë një këmbanë për autoritetet. Ky hetim nuk është as një përqind e historive të narkotrafikut që janë ulur këmbëkryq, vjedhin ngarkesa, mbajnë pengje, vrasin, ashtu si policia i quan, për hesape jashtë vendit dhe në fund trafikantët vijojnë të paprekur.