Kryeministri Edi Rama sot u është përgjigjur akuzave të PD-së, që bëri deputetja Oriola Pampuri se “kush ta pagoi udhëtimin luksoz me charter në Bavari! Po në Suedi a ka shkuar me charter privat?”.
“Unë kam qëndruar me familjen në Mynih. Isha një orë me gazetaren për rubrikën e saj të njohur me personalitete të ftuara për një bashkëbisedim në natyrë.
Kush më dëgjoi dje, dëgjoi qartë se kam udhëtuar në Mynih me një biletë ekonomike 345 euro së bashku me gruan dhe djalin e vogël.
Unë e thash shumë qartë. Suedia? Po ku hyn këtu? Çfarë lidhje ka kjo me intervistën në Mynih? Jo, nuk kam udhëtuar në Suedi” tha Rama.
Më pas ai kaloi në sulm dhe ironi kundër Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
“Çështja e pagesës nuk duhet lënë pa u zbardhur, prandaj duhet të pyetet urgjent ai që i uli 5004 delegatë imagjinarë në 1958 vendet reale të pallatit të kongreseve.
Këto bëjnë një teneqe të ndarë në dysh që u duhet varur në qafë nga demokratët dy të marrëve që kanë marrë peng PD për interesat e tyre personale” tha ai.