“Ai miu i kanaleve po bën diktaturë te Barça”/ Dalin përgjimet e ish-drejtuesve katalanas që akuzojnë Messin

Disa përgjime mes ish-drejtuesve të Barcelonës teksa sulmonin dhe ofendonin yllin Lionel Mesi janë bërë publike nga media spanjolle “Sport.es”. Mesazhet datojnë në fillim të vitit 2021, kur argjentinasi ishte në muajt e fundit të kontratës me Blaugranët. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë në mesazhe etiketohet si “miu i kanalizimeve” dhe akuzohej se kishte vendosur një diktaturë të brendshme brenda klubit në lidhje me politikat e transferimit dhe rinovimit.Protagonistët e bisedave në WhatsApp janë ish-presidenti Josep Maria Bartomeu , ish- CEO Oscar Grau, drejtori financiar Pancho Schroder, drejtori i Strategjisë dhe Inovacionit Javier Sobrino dhe menaxherë të tjerë si Jordi Moix , Oriol Tomàs dhe David Bellver. Megjithatë, më elokuenti nga të gjithë është Román Gómez Ponti, në atë kohë kreu i shërbimeve ligjore të Barçës, nga pajisjet elektronike të të cilit rrjedhin përgjimet e Mossos d’Esquadra.



Bisedat më të nxehta ishin bërë gjatë janarit të vitit 2021 dhe epoka e Bartomeu tashmë kishte përfunduar disa muaj më parë: “Barto, vërtet, nuk mund të jesh kaq i sjellshëm me këtë miun e kanalizimeve. Klubi i dha atij gjithçka dhe ai iu përkushtua duke vendosur një diktaturë nënshkrimesh, transferimesh, rinovimesh, sponsorësh… vetëm për të. Shifrave të kontratës së tij i duhet shtuar edhe Pinto, rinovimi i Suarezit dhe ai i Zhordi Alba, komisioni i rinovimit të Ansu Fatit… Dhe mbi të gjitha akumulimi i shantazheve dhe vrazhdësisë që klubi dhe ne që punojmë për të kemi pësuar nga ky xhuxh hormonal që ia ka borxh jetën Barçës”, shkruante Ponti.



Ish-kreu i shërbimeve ligjore Blaugrana më pas zbulon se Mesi në vitin 2020 kishte bërë presion që të mos ulte pagën e tij dhe të mikut të tij Suarez : “Kur gjërat shkojnë keq (referenca është në vitin e shpërthimit të pandemisë,) ju merrni mesazhin mitik: ‘President, uli rrogat e të tjerëve, por mos më prek mua dhe Luisin’. Le të shpresojmë që ai të kalbet mes indiferencës së njerëzve, që është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë”.Bartomeu nuk distancohet nga kolegu i tij: “Jam dakord për shumë gjëra. Ne e kemi dëgjuar Leon shumë herë, jo gjithmonë, por shumë herë. Kjo kontratë pa një pandemi do të ishte plotësisht e pranueshme”.

Author: morevesh