Nis muaji i Ramazanit, nutricionisti Altin Joka shpjegon si ndikon agjerimi në shëndetin tonë dhe përfitimet që mund të marrin besimtarët myslimanë në këtë muaj të madhërishëm.
I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për të mirat që i vijnë trupit nga agjerimi dhe ushqimet që duhen konsumuar gjatë iftarit dhe syfyrit.
”Po e nis nga vetja, unë kam 13-14 vite që agjeroj dhe i kam parë të gjitha efektet që ka trupi ynë gjatë këtij procesi” tha Altini në fillim të intervistës.
Por cilat janë disa avantazhe të agjerimit sipas Altinit? “Si fillim agjerimi forcon sistemin imunitar, lëkura rigjenerohet dhe flokët gjithashtu, humbet peshë dhe trupi rigjen një lloj balance që përmirëson metabolizmin tonë” theksoi ai.
Gjatë kësaj faze prej 30 ditëve, ku trupi agjeron, nga ana shkencore, në qeliza ndodh ajo që njihet me emrin “Autofagjia”, nga greqishtja “të hash vetveten”, pra qelizat hanë vetveten duke u pastruar” shtoi nutricionisti. “Në procesin e autofagjisë, qelizat e vjetra vdesin dhe kryhet një cikël qelizor duke u krijuar të reja. Në këtë mënyrë trupi rigjenerohet, qelizat gjithashtu dhe nis një cikël i ri dhe për metabolizmin. Unë i kam parë të gjitha studimet që flasin për agjerimin dhe me bindje them se trupit shkencërisht i vijnë vetëm të mira nga autofagjia” theksoi më pas Altini.
Nutricionisti Joka u ndal dhe tek disa avantazhe të tjera si rritje e qelizave kundër plakjes, detoksifikimi, lufton viruset dhe mikrobet dhe mban nivelin e qendrueshëm të parapramtrave të trupit, pa harruar që ul nivelin e stresit, ankthit dhe depresionit.
”Unë do të rekomandoja që gjatë syfyrit besimtarët të konsumojnë supa me brokoli, spinaq apo karrota, lëngje, smuthi, sallata me larmi ngjyrash dhe hurma, pasi është e provuar se këto produkte i japin trupit proteinat që kërkon në sasinë e duhur” tha nutricionisti.
Ndërsa nuk harroi të përmend se për një kategori që janë të pamundur për shkak të sëmundjeve, mundet që të evitohet agjerimi.