Një operacion i kryer nga prokuroria e posaçme SPAK, në ndihmë të së cilës është vënë dhe policia e Elbasanit, ka pasur si qëllim arrestimin e njeriut më të kërkuar nga drejtësia Shqiptare, Talo Çela.
Ndërhyrja policore për kapjen e Talo Çelës, i akuzuar për disa ngjarje të rënda, është kryer në zonën mes fshatrave Sinaballaj dhe Karrinë të Rrogozhinës.
Përmes dokumentave, tregohet se aksioni i SPAK dhe prokurorisë së Elbasanit, është zhvilluar në dy banesa.
Policia dhe SPAK, kishin marë informacione në rrugë operative se Talo Çela, fshihej në banesën e Lefter J. dhe Besnik J, të cilët janë me vendbanim pikërisht në zonën ku ka qëndruar familjarisht për shumë vite dhe bashkëpuntori i prokurorisë, Nuredin Dumani.
Informacioni se Talo Çela, fshihet pikërisht në zonën e fshatit të Dumanit, ka çuar prokurorinë të realizojë një kontroll “BLIC” me shpresën e kapjes së Çelës.
Gjatë kontrolleve nuk është konstatuar asnjë send i paligjshëm dhe asnjë gjurmë e Talo Çelës, duke mos sjellë asnjë rezultat, shkruan Ora News.
Ndërhyrja policore në këtë zonë të Rrogozhinës, kryhet në një kohë kur ekzistojnë zëra mediatike se Talo Çela, mund të jetë vrarë.
Por SPAK dhe prokuroria e Elbasanit, prej më shumë se dy vite hetojnë dosjet e Talo Çelës, megjithëse ai nuk është arritur të kapet asnjëherë nga policia kriminale.
Në të njëjtën kohë shumë të dhëna operative tregojnë se Talo Çela, lëviz i qetë mes Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe zonës së Peqinit.
Lirshmëria e njeriut më të kërkuar nga policia, u prezanta dhe në një raport nga ish-drejtori i antiterrorit në Tiranë, Gledis Nano, i cili njoftonte Ardi Veliun se Talo Çela lëizte në Tiranë me një “Audi Q8”.
Sipas informacionit pikërisht në këtë kohë, Talo Çela, ka zhvilluar takim me Ervin Matën në ambjentet e hotelit që disponon në rrugën e “Dibrës”.
SPAK e kërkon Talo Çelën, si person të dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës. Për vrasjen e Fatmira Dedës në Durrës dhe për një seri krimesh të tjera që lidhen me grabitjet dhe vjedhjet.