I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News24, mjeku imunolog, Genc Sulçebe tha se një person që e ka kaluar koronavirusin, ka krijuar antitrupa dhe si rrjedhojë është i mbrojtur edhe pa u vaksinuar.
Por, sipas mjekut, për të arritur sa më shumë imunitetin e tufës, është e mirë që të vaksinohen edhe ata që e kalojnë virusin.
“Duhet të imunizohen edhe ata që e kanë kaluar virusin, për të arritur imunitetin e tufës. Nëse një njeri e ka kaluar virusin dhe ka krijuar antitrupa, është mirë ta vaksinojmë, pasi kemi nevojë të imunizojmë sa më shumë njerëz”, tha mjeku Sulçebe.
Megjithatë, ai shtoi se edhe nëse antitrupat mund të jenë zhdukur, personi që e ka kaluar Covid-19 ka një lloj imuniteti dhe nuk do të sëmuret më si më parë
“Antitrupat pas 3-4 muajsh pakësohen, edhe mund të zhduken. Te disa njerëz ata mund të rrinë edhe 8 muaj. Antitrupat dhe sasia e tyre është vetëm një tregues i imunitetit ndaj virusit. Edhe nëse ne e kemi kaluar infeksionin, edhe nëse antitrupat mund të jenë pakësuar apo zhdukur, imuniteti vazhdon të jetë dhe ne nuk sëmuremi më si më parë. Riinfeksionet janë shumë të rralla.”
Ndërsa sa i përket sasisë së antitrupave që duhet të kemi, mjeku Sulçebe tha se s’ka shumë rëndësi, duke ritheksuar se edhe nëse ato zhduken prapë ne kemi imunitet./shkoder.info