Sali Berisha do të përjashtohet nesër nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar i PD-së.
Në mbledhjen e sotme kryesia e PD-së vendosi që t’i propozojë Kuvendit një rezolutë që sanksionon që të gjithë personat që i ka kapur dekriminalizimi dhe që janë shpallur “non grata” do të përjashtohen nga strukturat drejtuese të partisë Demokratike.
“Kuvendit do t’i propozohet të marrë një vendim ku sanksion një standard që funksionarët të cilët i kap dekriminalizimi dhe të shpallur “non grata” nuk do të mund të jenë anëtarë të strukturave drejtuese në PD” i tha një burim gazetarit të “ABC”-së, Juxhin Mustafaraj.
Pavarësisht se i njëjti burim brenda PD-së pohoi se “nuk ka përjashtime nga partia”, shënjestra është e qartë; Sali Berisha.
Por cilat janë strukturat qendrore në PD ku është pjesë aktualisht?
Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar i PD-së janë dy strukturat që Sali Berisha është automatikisht për shkak të pozicioneve që ka pasur, si ish-kryeministër dhe President i vendit.
Disa prej anëtarëve të Kryesisë e shprehën hapur qëndrimin pro përjashtimit të Sali Berishës nga këto dy struktura.