Kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë një hap pas dhe ka pranuar se ka përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet e 6 marsit. I pyetur nëse do të japë dorëheqjen, kur edhe besnikët e tij i janë kthyer kundër, kryedemokrati tha se është gati të bëjë çdo gjë për të mirë të PD.
Në prononcimin për gazetarët, Basha vijoi me akuzat se po tentohet përçarja e PD-së, ndërsa tha se ka si synim bashkimin e kësaj force politike.
Kujtojmë që PD-ja e Bashës doli forcë e tretë në zgjedhje dhe njerëzit e tij të afërt dhanë dorëheqjen nga funksionet drejtuese në parti. Një pjesë e mirë e demokratëve kërkon largimin e Bashës.
“Reflektimi të bëhet ashtu siç duhet të respektojmë ata që kanë mendimet e tyre ndaj jemi në një proces. Që nisi që pas 6 marsit dhe do vazhdojë. Është proces i thellë reflektimi. Me qëllim interesin më të mirë. Se qëllimi kryesor është përçarja mes nesh. Jam gati të bëjë çdo gjë për të mirë të PD.
T’i paraprijmë ngjarjeve nuk është e mençur. Siç e thash ne kemi mbledhur strukturën e parë. Kolegjin dhe do mbledhim edhe kryesinë. Deputetët kanë kërkuar të jemi në kontakt. Demokratët do marrin në dorë fatin e tyre. PD do dalë nga procesi e fortë dhe e bashkuara. Jam i gatshëm të marrë çdo hap që PD të jetë e fortë.
Është domosdoshmëri të jemi më të fortë. Nuk kemi arritur akoma aty. Jemi në proces reflektimi. Disa prej tyre kanë kërkuar dhe analizë specifike për 6 bashki. Demokratët do të marrin në dorë fatin e tyre, PD do të dalë nga ky proces i fortë dhe e bashkuar. Përgjegjësia është e imja.
Jam i gatshëm që PD të jetë e fortë dhe e bashkuar dhe mësimin e 6 marsit që është domosdoshmëria të dalim më të fortë. Të ndahemi nga 6 marsi, nga mësimi i madh i 6 marsit, që është domosdoshmëria për të qenë të bashkuar. PD, anëtarët e PD, e meritojnë transparencën mbi inceneratorët, apo çështjen e çmimit të naftës dhe i pari i qeverisë nuk është këtu”, tha Basha.