Samiu 60 vjeç i cili është përplasur nga një makinë në 14 Dhjetor të vitit 2019 tregon se policia nuk e ka quajtur aksident automobilistik dhe nga ekspertiza e parë ka dalë se është dëmtuar me fresibël (mjet i hekurt që pret drurin). Personi që e ka përplasur është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Mirela Milori: Pse ky pretendim, je gjetur me mjete pune në vendngjarje?
Samiu: Nuk është problemi se u gjetën mjete. Fshehja e ngjarjes bën fjalë ose kanë njohur makinën dhe shoferin dhe për ta shmangur këtë nuk do mbanin asnjë gjë shënim, ose në krahun tjetër nuk kryen detyrën dhe ata që shkelën ligjin në këtë moment, policia e shtetit.
Sipas Samiut fajtori jo vetëm që nuk është gjetur akoma, por dhe pse çështja është prej thuajse një viti në Prokurori, nuk kanë marrë ende një përgjigje.
Ai e ka çuar çështjen deri tek SHKB-ja e Durrësit(Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sigurisë së Shtetit). SHKB-ja ka dalë në përfundimin se policia e ka fshehur aksidentin. Çështja është ende e pazbardhur dhe pa një përgjigje.
Gruaja e Samiut tregon se ka marrë kredi për të paguar avokaten që merret me këtë çështje dhe gjendja e tyre ekonomike është shumë e vështirë. Madje ajo tregoi se kur Samiu ishte i sëmurë dhe i duhej të ushqehej mirë dhe të mjekohej mirë, ai i thoshte nuk ka gjë edhe nëse nuk i ha të tre vaktet sepse e di gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen.
Samiu dëshiron të marrë një përgjigje lidhur me çështjen e tij dhe kërkon ndihmë. Nuk ka patur asnjë mbështetje nga shteti. /tvklan.al