Si e paralajmëroi Dan Hutra masakrën 1 vit më parë/ “Dua kokë njeriu, do t’ua bëj shtëpinë gjak”

Dan Hutra, 40-vjeçari i cili vijon të jetë në kërkim për vrasjen e dyfishtë në Paskuqan nuk është një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Ai më parë ka qenë i dënuar për vrasje dhe dhunë, por jo vetëm kaq.




Një vit më parë Hutra e kishte paralajmëruar një tragjedi të tillë dhe ish-bashkëjetuesja e tij Elena Hysa kishte vënë në dijeni uniformat blu. Para një viti Hysa, ngriti padi ndaj partnerit të saj Dan Hutra pasi ky i fundit e dhunonte vazhdimisht, e kërcënonte dhe e kishte kthyer atë në një shërbyese, nga e cila kërkonte çdo gjë gati edhe larjen e këmbëve.




Por pavarësisht këtyre, Elena Hysa u lumturua pa masë kur zbuloi se ishte shtatzënë. Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga partneri i saj i cili e akuzoi Hysën se fëmija që ajo po mbante në bark nuk ishte i tij. Në këto rrethana, Elena Hysa vendosi të largohej nga shtëpia e Hutrës dhe u shpërngul te prindërit e saj. Por as këtu Elena nuk gjeti paqe pasi Dan Hutra e kërcënonte sërish dhe i bënte presion familjes së saj për t’i kthyer të gjitha shpenzimet e fejesës që shkonin rreth 4 mijë euro.

Author: morevesh