Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti dhe sekretari Uran Ismaili, do të qëndroj të mërkurën në Shqipëri ku do të pritet në takime të veçanta nga krerët e shtetit.
Siç bëhet e ditur përmes komunikatës, Hoxhaj do të takohet me Presidentin Ilir Meta, me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe me kryeministrin Edi Rama, njofton RTK.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, kreu i PDK-së do të takojë edhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha e do të pritet edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në këto takime kreu i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër Enver Hoxhaj pritet të diskutoj për zhvillimet politike në vend dhe rajon, për projektet dhe planin e tij qeverisës, për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve si dhe për bashkëpunimin e ngushtë që duhet ta kenë Tirana e Prishtina zyrtare në sfidat ndërkombëtare, me theks të veçantë pas shkuarjes në Hagë të liderëve shtetërorë të Kosovës dhe krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.