Aktorët e humorit Irgen Çela dhe Flor Binaj në protestë:Në këto 30 vite nuk ka vend për profesionistë, por patronazhistë

Aktivisti Florian Binaj mbajti fjalën e tij mes protestuesve dhe iu bëri thirrje artistëve dhe figurave të tjera publike të bashkohen në këtë protestë.

“Ne jemi këtu dhe për ata që nuk janë, kameramanë, gazetarë që nuk marrin atë që meritojnë, ata motra e vëllezër që kanë lënë vendin e jetojnë jashtë sepse në Shqipëri në këto 30 vite nuk ka vend për profesionistë por për patronazhistë. Jemi për fëmijët tanë. Ju faleminderit prindërve që kanë marrë fëmijët sot që tu tregojnë se kështu fitojnë të drejtat. Zemra mal kur ju shoh do të doja shumë që kësaj proteste tu bashkohen shumë figura publike”, tha Binaj.

Më tej ai shtoi se “Është hera e parë që nuk kuptohet ku fillon Skenderbej e mbaron Nënë Tereza. Jemi sot këtu për ata që punojnë me dinjitet e jetojnë në mizerje. Jemi për fëmijët tanë. Faleminderit cdo qytetari, të dëgjojmë zërin e njëri tjetrit. Jam kritikuar se kam qenë ndër të vetmit artist në protestë, do të doja shumë si Marin Mema dje të na bashkohen edhe artistë e figura publike.Unë nuk jam vetëm këtu, kam ardhur me babin”.

Më pas ai i la fjalën kolegut të tij, Irgen Çelës, i cili bëri të njëjtën thirrje që protestës t’i bashkohen figurat publike.

Irgen Çela: I jam bashkuar kësaj proteste sepse është e popullit dhe jo e partive politike. Unë i ftoj gjithë personazhet publikë, sepse para se të jemi VIP-a jemi qytetarë. Jam këtu në protestë për ata pensionistë që kanë frikë ta ndezin kaloriferin, sepse u vjen fatura e lartë. Për të gjithë ata që kanë frikë që janë futen në supermarket se janë rritur çmimet. Kanë frikë që të hipin në urbane sepse janë rritur çmimet. Për të gjithë prindërit tanë që kanë punuar gjithë jetës dhe nuk kanë marrë asgjë. Jam krenar që jam sot këtu me ju!

Author: morevesh