Kievi pajiset me 70 avionë luftarakë. Gjithçka ndodh në frontin e luftës

Përshkallëzohet konflikti në Ukrainë. Komanda e Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës do të pajisë vendin me 70 avionë luftarakë MiG-26 dhe Su-25. Avionët do të vendosen në aeroportet polake, nga ku pilotët ukrainas do të kryejnë detyra luftarake. Sipas komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, Bullgaria do të japë 16 avionë MiG-29 dhe 14 Su-25, Polonia – 28 avionë MiG-29 dhe Sllovakia – 12 avionë MiG-29.

Bilanci i ushtarëve të vrarë në Ukrainë është rritur. Sot në mëngjes u raportuan të vrarë 70 ushtarë ukrainas pasi artileria ruse goditi bazën ushtarake në Okhtirka, një qytet midis Kharkovit dhe Kievit.

Sot qytetet e Ukrainës janë zgjuar me një qetësi të frikshme. Duket se Rusia po riorganizon fushatën kundër mbrojtjes ukrainase, e cila duket se ka qenë më e fuqishme sesa që ka pritur Moska. Deri më tani luftimet në qytetet kryesore janë si më poshtë:

Në Kiev mbrojtja ukrainase ka qenë e fuqishme deri më tani. Aktualisht, aktiviteti rus është i kufizuar meqë forcat janë në pritje të përforcimeve. Analistët besojnë se ato do të rikthejnë sulmet me fuqi më të madhe në orët në vijim.

Në Kharkiv sulmet ruse janë shtuar në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës në 48 orët e fundit. Forcat ruse janë duke përdorur raketa dhe armë tjera në këtë qytet. Si rezultat është raportuar për viktima civile dhe dëme të pronave. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se dhjetëra persona kanë vdekur në atë qytet.

Në Ukrainën jugore përparimi rus është ngadalësuar në ditët e fundit, në krahasim me ditët e para, kanë thënë analistët.

E gjithë hapësira ajrore evropiane përfshirë dhe shumë vende të tjera jashshtë BE-së kanë ndaluar fluturimet e avionëve rusë. Këtu bën pjesë dhe Shqipëria. Ky sanksion është i vlefshëm dhe për avionët privatë e të çdo lloj fluturimi. Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Belgjika, Republika Çeke, Portugalia, Greqia e Italia po dërgojnë mjete ushtarake, armatime e ndihma të tjera në Ukrainë. BE-ja njoftoi që ka ndaluar edhe transmetimin e dy mediave ruse Russia Today e Sputnik. Shtetet anëtare do të pranojnë refugjatët ukrainas duke anashkaluar procedurën normale të azilit. Ukraina ka ngritur edhe një padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së në Hagë. Sipas Zelensky, çështja në fjalë do të shkojë në një gjykatë që zgjidh mosmarrëveshjet midis shteteve në lidhje me të drejtën ndërkombëtare. OKB do të mbajë sot një seancë speciale urgjente për Ukrainën.

Author: morevesh