“Më kanë marrë deputetë të PS në telefon”, flet babai i Saimir Tahirit: Ka punuar e sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë në hak askujt

Bashkim Tahiri, babai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të djalit të tij. Në një intervistë të dhënë për “5 pyetjet.al” ai shprehet se ndihet keq, pasi sipas tij ish-ministri Tahiri nuk i ka hyrë në hak askujt.

“Si çdo prind, ndihem keq. Është fare logjike kjo punë, çdo prindi edhe sikur t’i rrëzohet fëmija në trotuar do të ndihet shumë keq. Kjo ka edhe një gjë pastaj, unë jam me kokën lart, se në fund të fundit, ai ka punuar dhe sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë asnjë njeriu në hak.

Nuk ka shkelur njeri në kallo, nuk ka vjedhur njeri, nuk ka vrarë njeri. Absolutisht nuk është marrë me këto veprimtari negative. Kështu që ashtu sikur ndihem keq, ndihem edhe krenar, pasi nuk i kemi bërë keq asnjë njeriu. Dhe aq më tepër që ai ka kontribuar shumë si për PS-në dhe policinë”, tha ai.

Pas dërgimit në qeli, Bashkim Tahiri tha se ka komunikuar me djalin, i cili i ka kërkuar familjes që të ruajnë qetësinë.

“Po, kam komunikuar. Duhet të ruajmë veten që t’i ngremë moralin atij”, tha ai.

Ai shton gjithashtu se ish-kolegët e Saimirit në Partinë Socialiste e kanë marrë personalisht në telefon, ndryshe nga heshtja mediatike që kanë treguar për arrestimin e ish-ministrit.

“Mua më kanë marrë deputetë individualisht”-shtoi ai.

Author: morevesh