I mori 108 mijë euro një italiani duke e mashtruar, arrestohet 32-vjeçari në Tiranë

Seksioni për Krimin Ekonomik në Policinë e Tiranës ka arrestuar një 32-vjeçar të identifikuar si Olti Ferhataj.

Në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, të cilët janë proceduar penalisht, nëpërmjet një call center të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse duke investuar në kriptomonedha dhe Forex.

Duke mashtruar një klient italian, ai kanë përfituar një shumë prej 108 mijë Euro, për një periudhe disa mujore. Kallëzimi është bërë nga shtetasi italian.

Informacioni i policisë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Programuesi”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vihet në pranga një shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Programuesi”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit:

-O. F., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi O. F., nëpërmjet një call center-i të paregjistruar në organet tatimore, u prezantohej shtetasve të huaj si agjent burse që investonte në Kriptomonedha dhe Forex. Nëpërmjet këtij mashtrimi, ky shtetas ka përvetësuar nga një klient i huaj, shumën prej 108000 euro.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Author: morevesh