Paralajmërim për bandat? Çfarë u tha në takimin e Nanos me zyrtarët britanikë të NCA-së

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka takuar Tom Doëdall CBE, zëvendësdrejtor i Departamentit Ndërkombëtar, Komanda e Inteligjencës, Agjencia Kombëtare kundër Krimit – NCA Britanike dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori britanik, Alastair King-Smith, drejtues të tjerë rajonalë të NCA-së dhe Oficeri Ndërlidhës i NCA-së në Tiranë.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me NCA-në, por dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese britanike, si edhe shprehu falenderimet për mbështetjen e dhënë ndër vite, për strukturat e Policisë së Shtetit, nga NCA-ja, Forcat Kufitare Britanike dhe Qeveria Britanike, si në aspektin e forcimit të kapaciteteve logjistike, ashtu edhe përmes trajnimeve të vazhdueshme apo shkëmbimit të eksperiencave.

Sakaq vuri në dukje faktin se tashmë ka ardhur koha që ky bashkëpunim të kalojë në një tjetër nivel, duke u fokusuar jo vetëm në shkëmbimin e informacionit, por edhe në organizimin e operacioneve të përbashkëta policore për goditjen e individëve apo grupeve të krimit të organizuar në fushën e luftës kundër drogës, kontrabandimit të personave apo edhe në drejtim të pastrimit të parave, identifikimit dhe sekuestrimit të aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal.

Gjithashtu, Nano theksoi se do të ishte me shumë vlerë që në kuadër të këtij bashkëpunimi, të ngriheshin Njësi të Përbashkëta Hetimore, sikurse janë ngritur edhe me shumë vende të BE-së, pasi do të ishin rezultative në goditjen e aktivitetit të grupeve kriminale. Gjatë takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për shkëmbimin intensiv të informacionit mes dy vendeve, në këtë drejtim.

Në përfundim të takimit, palët konfirmuan edhe një herë rëndësinë e forcimit dhe kalimit në një tjetër nivel të bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore respektive, në luftën kundër krimit të organizuar, në interes të forcimit të sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve.

Author: morevesh