Elisa Spiropali: Berisha-Basha po kallëzojnë njëri-tjetrin për 21 janarin, të thirren për të dëshmuar

Autorët e vrasjeve të 21 janari janë dënuar sistematikisht prej 11 vitesh nga shqiptarët në çdo palë zgjedhje por tashmë ka ardhur koha të marrin dënimin e merituar edhe nga sistemi i drejtësi.

Ky është qëndrimi i ministres Elisa Spiropali, e cila e ftuar në ‘Kontrast’ në Report Tv, nënvizon se drejtësia nuk do të vonojë për të dhënë ndëshkimin e merituar ndaj vrasësve të 21 janarit.

Ajo tha se PD dhe LSI që qeverisnin vendin 11 vite më parë e kanë marrë ndëshkimin e merituar në çdo zgjedhje që prej asaj dite. Por për Spiropalin, tashmë është koha që edhe drejtësia të japë dënimin e saj ndaj përgjegjësve të katër vrasjeve.

“Zoti vonon, por nuk harron. Por edhe Drejtësia nuk duhet të harrojë. Ka dy fasha ndëshkimi, një janë zgjedhjet dhe e dyta drejtësia. Sa i përket zgjedhjeve e kanë marrë ndëshkimin me votë shumë herë radhazi. Tani ka mbetur të marrin ndeshkimin e drejtësisë dhe une shpresoj shume të mos vonojë” – tha ajo për ‘Kontrast’ në Report TV.

Duke komentuar akuzat e fundit mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, që fajësojnë njëri-tjetrin për 21 Janarin, Spiropali tha se të dy politikanët në fjalë duhet të thirren sa më parë nga drejtësia.

“Pas kaq viteve të dëgjosh ish-ministrin e Brendshëm që akuzon ish-kryeministrin e tij se ka urdhëruar vrasjet është e pavlerë moralisht, por i shërben drejtësinë. Këto personazhe duhet të thirren dhe të japin dëshmitë penale.

Ndërsa moralisht deklaratat e sotme nuk e ngrejnë Bashën që del dhe përmend 21 Janarin se ka hallin e derës së tij” – tha ajo.

Sa i përket zgjedhjeve të 6 marsit, ministrja Elisa Spiropali tha se emrat e kandidatëve nuk janë diskutuar ende në Kryesinë e Partisë Socialiste por sipas saj nuk përjashtohet mundësia që të jenë të gjashta kandidatet gra.

Duke komentuar deklaratat e Ilir Metës, i cili kohët e fundit e akuzon Bashën së ka shitur opozitën, Spiropali deklaron se këta janë në një garë të ethshme me njëri tjetrin, se kush është më pranë Edi Ramës etj.

Author: morevesh