LAJMI I FUNDIT/Aksidentohet në Bullgari autobusi me pasagjerë nga Kosova

29 pasagjerë nga Kosova, gjashtë prej të cilëve fëmijë janë strehuar në Bullgari, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin mëngjesin e sotëm u aksidentua në qytetin e Kyustendilit, raporton mediumi Struma.

Siç raporton mediumi bullgar, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:30, kur autobusi me pasagjerë nga Kosova e ka goditur një kamion të ndaluar që transportonte dru.

Drejtuesi i kamionit raportohet se po përpiqej t’u tregonte të tjerëve në trafik se një pemë kishte rënë në rrugë. Autobusi e goditi kamionin dhe ai doli nga rruga.

Drejtuesi i autobusit ka pësuar lëndime të lehta dhe është dërguar në Qendrën Mjekësore Qendrore në Kyustendil për ekzaminime dhe ndihmë,transmeton Gazeta Express.

Vendi i ngjarjes është ekzaminuar nga Policia, ndërkohë që për aksidentin ka nisur procedimi paraprak dhe është njoftuar prokurori kujdestar.

Author: morevesh