Publikimi i projektit me kulla në selinë e PD, Bardhi kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës: Kur është dorëzuar dhe kush ka qenë financuesi

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i ka dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës pas publikimit të projektit me kulla që do të ndërtohen në territorin e selisë blu.

Bardhi i drejton 4 pyetje Bashkisë së Tiranës, ku kërkon të dijë se kur është dorëzuar zyrtarisht projekti, kush është propozuesi apo financuesi, cila ka qenë procedura e ndjekur nga Bashkia për trajtimin e tij si dhe ka kërkuar t’i vihet në dispozicion praktika e plotë shkresore që disponon Bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park.

1. Kur është dorëzuar zyrtarisht projekti “Four Freedoms Park” pranë Bashkisë Tiranë, dhe kush kanë qenë propozuesit/financuesit e këtij projekti? A ka pasur gjatë ditëve të fundit një përpjekje nga propozuesit e projektit apo persona të tjerë për riaktivizimin e këtij projekti?

2. Cila ka qenë procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë lidhur me trajtimin e këtij projekti? A ka pasur një prezantim të këtij projekti pranë zyrave të Bashkisë Tiranë? Nëse po, kush kanë qenë pjesëmarrësit privatë dhe institucionalë gjatë këtij prezantimi? Kujt i është njoftuar ky projekt deri më tani?

3. A ka pasur një vendimmarrje lidhur me këtë projekt? Nëse po, ju lutem të na vini në dispozicion aktet përkatëse, duke na sqaruar edhe cili është statusi aktual i këtij projekti dhe nëse sipas rregullave në fuqi të planifikimit të territorit a lejohet ndërtimi në zonën e propozuar?

4. Ju lutem, na vini në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon Bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese”, thuhet në letrën që Bardhi i ka dërguar Bashkisë së Tiranës.

Author: morevesh