Pak ditë nga vizita e presidentit të Turqisë në Tiranë, mediet greke kanë komentuar për qëllimet e ardhjes së Erdogan në vendin tonë.
Disa nga portalet dhe gazetat e njohura në shtetin helen shkruajnë se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tiranës janë aq të ngushta sa presidenti Erdogan konsiderohet si sulltan dhe kryeministri Rama si pasha, duke iu referuar kohës kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Më tej të përditshmet greke shkruajnë se Ankaraja do të ushtrojë presion ndaj vendeve të tjera për të njohur Pavarësinë e Kosovës përmes marrëveshjeve sekrete, me kusht që Prishtina dhe Tirana të dëbojnë gylenistët.
Mediet pretendojnë se Erdogan po kërkon të krijojë Shqipërinë e Madhe, të cilën e sheh si provincë të Perandorisë Osmane.
“Nga sa më sipër kuptojmë se vizita e Erdoganit në Shqipëri ka për qëllim garantimin e mbështetjes për mikun e tij, Rama, në mënyrë që Shqipëria të mos anëtarësohet menjëherë në BE dhe sigurisht jo përpara zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke u përpjekur kështu të luajë rolin e rregullator të zhvillimeve në Ballkan, duke lëvizur fijet për krijimin e Shqipërisë së Madhe, të cilën e sheh si një provincë të Perandorisë Osmane që kërkon ta ringjallë.”
Në 17 janar, presidenti Erdogan do të vizitojë Shqipërinë me rastin e inaugurimit të shtëpive të ndërtuara nga turqit, për banorët që mbetën të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit.