Bardhi përfundon dëshminë për “8 janarin”: Nuk ka pasur sulm nga brenda selisë, por vetëmbrojtje

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka përfunduar dëshminë e tij para prokurorëve lidhur me protestën e 8 Janarit. Ai u shpreh se asnjë person brenda selisë nuk ka sulmuar, por ka pasur vetëm akte vetëmbrojtjeje.

“Kam dhënë deklarime për çdo çështje që jam pyetur nga organi i Prokurorisë. Nuk ka pasur sulm nga asnjë person nga brenda selisë.

Ka pasur akte vetëmbrojtje për të ndaluar protestuesit e dhunshëm që të futen në ambientet ku po zhvillohej mbledhje në katin e dytë. Për këtë episod kam dhënë shpjegimet e mia në prokurori”.

Bardhi u shpreh ndër të tjera se brenda selisë nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. “Kam dhënë shpjegime të plota në këtë çështje.

Kam rikonfirmuar atë që prokurorët kanë qenë dëshmitarë bashkë me mua që çdo person që ka qenë brenda selisë qendrore të PD i është nënshtruar kontrollit fizik, sikundër çdo ambient i selisë i është nënshtruar kontrollit dhe këqyrjes nga ana e prokurorisë dhe ripohoj përpara opinionit publik atë që prokuroria pohoi gjatë caktimit të masave.

Asnjë send i ndaluar nuk është gjetur në ambientet e brendshme të selisë së PD”.

Author: morevesh