Fëmija iu mbyt në kopsht, nëna: Punonjësit më thanë se djali ishte përmendur, doktori më njoftoi se kishte ardhur pa jetë në spital (VIDEO)

Nëna e 3-vjeçarit që u mbyt në një kopsht privat në Fier thotë se është mashtruar kur stafi e telefonoi dhe i thanë se djali është në gjendje të mirë, kur në fakt në spital u dërgua pa shenja jete. E përlotur në dyert e drejtësisë ajo kërkoi takim me prokurorin, ndërsa me gjithë këtë situatë, kopshti sot është hapur.

FIER- Familjarët e 3-vjeçarit që ndërroi jetë në një kopsht privat në Fier nuk kanë gjetur paqe! Ajo që ua rëndon edhe më shumë dhimbjen është mashtrimi që i kanë bërë punonjës të kopshtit duke i thënë se djali ishte përmendur, por në fakt ai ishte dërguar i pajetë në spital. Mes lotëve, ajo ka gjetur forcën për të kërkuar drejtësi për humbjen e djalit, për këtë sot është drejtuar drejt Prokurorisë së Fierit për të takuar prokurorin, por nuk e ka gjetur aty. Ajo ka rrëfyer se ka qenë doktori ai që u ka treguar të vërtetën, se djali kishte ardhur pa shenja jete.

“Më kanë marrë mua të parën në telefon dhe më kanë thënë është mbytur me litar të bluzës dhe më kanë thënë është në gjendje të mirë dhe është përmendur dhe kur unë kam vajtur në spital më kanë thënë është në sallë të operimit. Në momentin që unë u kam thënë pse është futur në sallën e operimit, doktori ka ardhur dhe më ka thënë se fëmija ka ardhur pa jetë”, tha nëna.
Dhimbja shtohet edhe më shumë nga fakti se sot kopshti është hapur.

 

Author: morevesh