Skadoi ultimatumi për Bashën, Komisioni i Rithemelimit: Basha në vend që të mblidhte rraqet po e shndërron selinë në bunker

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka dalë me një deklaratë për shtyp në lidhje me situatën e krijuar në selinë e PD, ku disa prej deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk arritën të hyjnë brenda.

Sipas këtij Komisioni, Lulzim Basha i ndihmuar nga Edi Rama në vend që të zbatonte vendimin e 44 mijë anëtarëve për t’u larguar, zgjodhi të kthejë në një bunker selinë e Partisë Demokratike.

Më tej, Komisionin për Rithemelimin iu bën thirrje demokratëve që të bashkohen në protestën paqësore të 8 janarit përpara PD.

“Sot skadoi afati i caktuar me tolerancë dhe civilitet nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, për lirimin e zyrës së kryetarit të PD-së nga ana e Lulzim Bravës, pas shkarkimit të tij me votën e lirë, nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor 2021 dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor 2021.

Në vend të respektimit të këtij afati, deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë.

Ky akt i pashembullt në historinë e një force politike, është përdhosje e selisë së PD, votës së 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar dhe 44 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike, të gjithë demokratëve që nga themelimi i PD-së, si dhe i të rënëve të kësaj partie në këto 30 vite.

Komisioni fton të gjithë demokratet dhe demokratët e Shqipërisë të bashkohen, në protestën paqësore të datës 8 Janar, para Selisë së Partisë Demokratike, me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve”, të firmosin kështu rikthimin e Selisë së PD në Shtëpinë e Lirisë së demokratëve dhe simbolin e shpresës, për mbarë shqiptarët”, thuhet mes të tjerash në deklaratën për shtyp.

Author: morevesh