“Trekëndëshi do të merret me radhë”. Basha: Rama po pret të shpallet “non grata”

Lulzim Basha tha se Edi Rama dhe Sali Berisha janë në sinkron me veprimet e tyre, pasi sipas tij, edhe Rama pret të shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Edhe më i dëshpëruar është Edi Rama, por sepse e di që trekëndëshi do të merret me radhë. Kur bie baza do të bien edhe brinjët e trekëndëshit të Bermundës. Prandaj dje panë një “non grata” dhe një që pret të shpallet “non grata” në sinkron të plotë para godinës së kryeministrisë. Elementet kriminale nuk po i përdor vetëm Rama dhe Meta, por edhe Sali Berisha. Ata janë bashkë për ta mbajtur Shqipërinë kështu siç është, por nuk është plaçka e tyre.

Është atdheu i gjithë shqiptarëve, dhe ne do të bëjmë të mundur që çdo shqiptar ta gëzojë këtë vend të bekuar, por të vjedhur nga kjo treshe e korrupsionit, babëzisë dhe papërgjegjshmërisë politike”, tha Basha në një konferencë për mediat. “Nuk kam asnjë provë, por Rama po sillet si dikush që ka frikë të shpallet “non grata”.

Ai shtoi se PD-ja do të dërgojë brenda vitit në Gjykatën Kushtetuese ligjin për bashkëqeverisjen dhe abuzimet me fondet e tërmetit. “Që të vidheshin siç i kanë vjedhur, Rama me të tijtë kanë bërë një sërë manovrash të paligjshme përmes të cilave kanë mundësuar që fondet të shkojnë në duart e pak njerëzve dhe të përbëjnë një aferë të tmerrshme korruptive, pas asaj të korrupsionit gjatë pandemisë. Gjithçka është e dokumentuar nga disa organizata jofitimprurëse.

Është një material i plotë sesi janë keqpërdorur paratë e shqiptarëve, e atyre që qëndrojnë akoma në çadra. Por padia e tyre nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese. Do të depozitojë padinë në Gjykatën Kushtetuese, sa i takon korrupsionit me tenderat e rindërtimit, por edhe ligjin për bashkëqeverisjen”.

Author: morevesh