Ilir Meta flet për nënshtetësinë që i dha Janullatos-it: Vendim shumë i drejtë, nuk pendohem!

Një vendim të drejtë e quan presidenti Ilir Meta dhënien e nënshtetësisë shqiptare Kryepeshkopit Anastas Janullatos. I ftuar në Abc, Meta tha se nuk pendohet që e ka marrë një vendim të tillë.

“Fortlumturia e tij është udhëheqësi i të gjithë ortodoksëve të Shqipërisë. Edhe një qytetar me origjinë turke merr pasaportë, dhe në përputhje me ligjin. Zotëria s’ka patur asnjë problem me ligjin, i vetmi problem ishte paragjykimi sepse po të ishte danez do ta kishte marrë që ditën e parë.

Unë jam i bindur se ka qenë një vendim shumë i drejtë. Nuk po flas për paraardhësit e mi unë, po flas për aktin që kam ndërmarrë, është bërë me bindje të plotë nga ana ime se nuk mund të diskriminohet një qytetar i zakonshëm e jo më të paragjykohet udhëheqësi i një besimi shumë të rëndësishëm fetar.

Është vendim për të cilin nuk pendohem asnjëherë dhe e kam bërë me bindje të plotë se ishte vendim i drejtë dhe në respekt të të gjithë përpjekjeve për ringritjen e besimit”, tha Meta.

Janullatos pas 25 vitesh në krye të Kishës Autoqefale shqiptare, arriti të marrë nënshtetësinë nga Meta. Pesë paraardhës të Metës e kanë refuzuar të dekretojnë dhënien e nënshtetësisë shqiptare për Janullatos pasi sipas tyre nuk plotësonte kushtet.

Author: admin