Piktorja guxon! Rapsodët shqiptarë duke u puthur tërbojnë shqiptarët në rrjetet sociale

Një pikturë e Ermira Muratit ka ngjallur debate të shumta në rrjetet sociale. Në Ditën e Paradës së Krenarisë, dje, Ermira ka goditur.

Dy rapsodë shqiptarë shfaqen në pikturën e saj, me ngjyrat e LGBTI, të përqafuar dhe duke u puthur. Komentet në rrjetet sociale kanë qenë nga më të ndryshmet.

Piktorja Ermira Murati ka thënë për “Kallxo.com” se “Kjo vepër, jo domosdoshmërisht sugjeron se të gjithë shqiptarët kishin bindje të tilla se.k.su.ale, përkundrazi, tregon se bindjet e tilla se.k.su.ale dhe dashuria për gjininë e njëjtë ka ekzistuar edhe në të kaluarën tonë”.

Sipas Muratit, kjo temë nuk është trajtuar ose është trajtuar pak. Piktorja ka vendosur ta shfrytëzojë fuqinë e saj si artiste, që t’i japë dritë kësaj teme.

“Arti, si formë e shprehjes, na jep mundësi që të shprehim jo vetëm bindjet tona, por edhe ato të të tjerëve. Detyra ime si artiste shpeshherë është të krijoj çfarë duhet të krijohet, jo gjithmonë atë se çfarë dua”, tha ajo.

Megjithatë, Murati thotë se pas publikimit të kësaj pikture është përballur me reagime me komente negative. Por, ajo thotë se ishte e gatshme të marrë përsipër përgjegjësinë e fjalëve të këqija për hir të mesazhit.

“Pritja nga publiku mund të shpjegohet më së miri me anë të këtyre shifrave: për rreth 3 orë pas shpërndarjes së projektit nga tre portale vendore, janë mbledhur më shumë se 1 mijë komente së bashku, me minimum prej tyre pozitive”, tregoi ajo.

Dhe si pasojë e kësaj situate, artistja është detyruar t’i ndalojë komentimet dhe mesazhet në rrjetet e saj sociale.“Është e ditur që prekja e temave të tilla tabu gjithnjë ngjall reagime të tilla. Nuk jam aspak e mërzitur për to”, tha piktorja.

Author: admin