Ky do të jetë hoteli i parë i ndërtuar në hapësirë dhe ja si do të duket

Puna për hotelin e parë hapësinor në botë do të fillojë në 2025-ën dhe ai do të ketë restorante, kinema, tualete, palestër, pajisje të tjera thelbësore për njerëzit që do të jenë në stacion më gjatë dhe dhoma për 400 persona. Krijuar nga Orbital Assembly Corporation (OAC), Stacioni Voyager mund të jetë funksional që në vitin 2027, me infrastrukturën e ndërtuar në orbitë rreth Tokës.

Stacioni hapësinor do të jetë një rreth i madh dhe do të rrotullohet për të gjeneruar gravitet artificial që do të vendoset në një nivel të ngjashëm me gravitetin që gjendet në sipërfaqen e Hënës.

Asnjë detaj i kostos që duhet për të ndërtuar stacionin hapësinor ose kostoja e kalimit të një nate në hotel nuk janë zbuluar, edhe pse OAC thotë se kostot e ndërtimit po bëhen më të lira falë automjeteve të ripërdorshme si SpaceX Falcon 9 dhe Starship i ardhshëm.

Ideja e një stacioni hapësinor orbitues të ndërtuar rreth një rrote qendrore, rrethore, daton në kohët më të hershme të udhëtimit në hapësirë, një ide nga Wernher von Braun. Ai ishte një nga arkitektët e programit NASA Apollo dhe në vitet 1950 propozoi një habitat në formë rrote që rrotullohej për të krijuar gravitet artificial.

Koncepti për stacionin Voyager, i cili është një ide e ngjashme, por në një shkallë shumë më të gjerë, erdhi për herë të parë në vitin 2012 me fillimin e Fondacionit Gateway. OAC, firma e themeluar nga fondacioni për të realizuar vizionin e një stacioni orbitë, u krijua në vitin 2018 me qëllimin që ai të ishte funksional deri në 2027-ën.

Nëse realizohet plotësisht, do të jetë objekti më i madh i krijuar ndonjëherë nga njeriu në hapësirë.

Author: admin