72 vjeçarja, Yoko Banks e cila u burgos në gusht të vitit 2021 dhe u dënua me 3 vite burg, së fundmi do duhet t’i paguajë shtetit britanik shumën prej 143 mijë paundësh pasi akuzohet se dha me qera tre banesa për bandën shqiptare që merrej me kultivimin e kanabisit.
Banks ishte në kontakt të vazhdueshëm me kultivuesit e kanabisit por nuk luajti asnjë rol në kultivimin e drogës. Ndërkohë gjashtë bashkëpunëtorët e saj Andi Kokaj, 23, Visar Sellaj, 33, Kujtim Brahaj, 50, Indrit Brahaj, 27, Bledar Elezaj, 36, dhe 31-vjeçari Erblin Elezaj, u dënuan me 22 vjet burg për vepra të ndryshme, duke përfshirë furnizimin me drogë dhe prodhimin e kanabisit.
E moshuara kishte rënë dakord me anëtarët e bandës shqiptare për t’u paguar me rreth 500 mijë paund si shpërblim për vënien e tre banesave të saj nën dispozicionin e tyre për kultivimin e drogës. ‘Fermat e kanabisit’ u zbuluan në shtator të 2020-tës pas një operacioni të policisë britanike në një rrugë ku kishte përplasje mes bandave rivale të trafikut të drogës.