Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj ra pre e një vjedhje në banesë nga pastruesja e djali i saj që i morën qindra mijëra euro, dollarë dhe miliona lekë shqiptare.
Alda Klosi tregon me detaje versionin e saj të ngjarjes. Shumën e lekëve, Klosi deklaroi se e kishte të deklaruar dhe se e kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait.
“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë.” – u shpreh Alda Klosi.
Policia arrestoi Rozeta dhe Havier Dobin, ndërsa brenda banesës së tyre sot u zbuluan edhe 404,800 Euro, 8500 Dollarë dhe aksesorë floriri, të gjitha të fshehura në tubin e aspirimit.
Intervista e plotë e Alda Klosit për “5pyetjet.al”:
Zonja Klosi, si është e vërteta e grabitjes?
Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë.
Sa kohë kishit që e kishit punësuar pastruesen?
E kisha punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër në hapjen e derës. Ka inskenuar një skemë llahtari.
Si e zbuluat?
Nga kamerat.
Çfarë tregojnë kamerat?
Ka inskenuar vjedhjen. Banesa është hapur me çelës. Por ajo e inskenoi. Kishte inskenuar sikur ishte grabitje. Hedhur rrobat, shqyer dollapi.
Dyshimet i kishit ju që e orientuat policinë te pastruesja?
Jo, fare nuk më shkoi mendja. Por ngaqë ishin bërë disa grabitje në banesa. Jam ndjerë shumë keq. Më ka lënë një shije shumë të keqe. Plus edhe momenti, situata e rënduar, kam xhaxhain duke vdekur. Ato kanë qenë lekë për kurimin e tij.
Nuk më ka shkuar mendja te ky person. Kjo grua ka punuar në 20 shtëpi të tjera prej shumë vitesh. E kanë kapur kamerat. Unë erdha kastile nga Amerika me urgjencë. Erdha pardje, shkova në polici dhe bëra denoncimin.
Policia bëri një punë të palodhur. Ky njeri përbën një rrezik publik. Sa shumë familje mund të jenë dëmtuar. Sepse ajo punonte në shumë banesa. Por me denoncimin që bëra i bëra një të mirë komunitetit.
Sa është shuma që pastruesja ju ka marrë ju?
Shuma që sot njoftoi policia se ka sekuestruar nuk ka lidhje me mua. Vetëm shuma e djeshme. (58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë).
Ajo e ka pranuar vetë që i ka marrë. Madje shumën e kam të deklaruar. Se po të ishte e kundërta nuk e bëja denoncimin. Shuma tjetër që është zbuluar sot nga policia mund të jetë marrë në shtëpi të tjera.