Sot shënohen 11 vite nga “21 janari” i vitit 2011, dita kur gjatë protestës së Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës. Më konkretisht, në atë protestë mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Por edhe pse kanë kaluar kaq vite, kjo tragjedi ka mbetur ende pa u zbardhur, ndërkohë që familjarët e katër protestuesve të vrarë kërkojnë drejtësi dhe madje sytë e tyre janë tek organet e reja të drejtësisë, e sidomos Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Mirëpo sa i takon kësaj ngjarjeje, ditën e djeshme ka folur edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është përgjegjësi kryesor për këtë masakër, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që të vendoset drejtësi për këtë çështje dhe të rihapet dosja. Sipas tij, Berisha i urdhëroi 4 vrasjet për t’u treguar autoritar para ndërkombëtarëve.
-Zoti Klosi, sot shënohen 11 vite nga protesta e 21 janarit 2011, ku dhe fatkeqësisht mbetën të vrarë 4 persona. Si e kujtoni ju 21 janarin?
Shiko, në këto vite unë kam folur shumë për këtë ngjarje dhe për gazetën tuaj. Natyrisht që 21 janari i vitit 2011 është një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri, pasi shteti me urdhër të Sali Berishës vrau në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, 4 qytetarët të pafajshëm që protestonin kundër qeverisë së kohës. Unë atë ditë kam qenë në protestë, madje para Kryeministrisë dhe po e ndiqnim protestën. Protesta e 21 janarit 2011 ishte një protestë e madhe dhe ishte organizuar për të treguar se qytetarët janë të pakënaqur nga keqqeverisja dhe kjo ishte e gjitha.
Absolutisht që ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fund madje pretendon se në atë kohë gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011 ishte në zyrë, në Kryeministri, por kjo pak rëndësi ka, pasi ai urdhrat për të vrarë katër protestues mund t’i jepte edhe në telefon apo edhe drejtpërdrejt nëse marrim të mirëqenë deklaratën e Saliut se atë ditë ai ka qenë në zyrë. Sali Berisha dhe këtu e kam fjalën për Gardën e Republikës, i vrau katër protestuesit pasi kishte mbaruar protesta. Pse e bëri Berisha këtë? Kjo është një pyetje që mendoj se do përgjigje nga drejtësia, në mënyrë që të merret vesh se përse Berisha veproi në fund. Ndërkohë unë dua të shtoj pasi kam qenë pjesë e asaj proteste dhe jam i bindur se Sali Berisha dha urdhër, jo për të mbrojtur Kryeministrin, por për të dhënë një mesazh për të gjithë, përfshi këtu edhe ndërkombëtarët, duke thënë: “Që shikoni unë jam Zoti në këtë vend dhe bëj çfarë të dua”. Pra me aq sa e njoh Saliun, dua të them sot se Berisha ka vuajtur nga një kompleks që meqenëse ka qenë një ide e vjetër që ai e besonte fort, që ndërkombëtarët e sidomos perëndimorët kanë qenë me ata shtetarë apo politikanë që arrinin të bënin zap vendin dhe ai shfrytëzoi “21 Janarin” për të treguar që po, ai është një nga ata që bën zap këtë popull dhe këtë vend.
-Dakord, por Lulzim Basha herë pas here e ka cekur pak çështjen e “21 Janarit”. A di Basha më shumë se ty, mua, ne, për “21 Janarin”?
Nuk besoj që Lulzim Basha i është afruar atë ditë Sali Berishës në zyrë. Gjatë protestës së 21 janarit të vitit 2011, se unë e mbaj mend shumë mirë se isha atje, Luli ishte në tarracën e Kryeministrisë, në krah të njerëzve të Gardës së Republikës. Sigurisht që edhe gardistët donin mbështetje dhe donin urdhër. Nuk i bënë vrasjet gardistët me mendjen e tyre, sepse edhe një njeri që e njeh ligjin për përdorimin e armëve luftarake gjatë protestave, di ta ndajë kur qëllohet dhe kur jo. Kështu që unë jam i sigurtë që Lulzim Basha ka ndenjur larg atë ditë dhe ka qenë Sali Berisha që ka dhënë urdhër. Berisha nuk e pyeste Bashën. Saliu urdhëroi vrasjet vetëm për të treguar dhe i dërguar mesazh partnerëve ndërkombëtarë që: “Shikoni unë e bëj zap këtë popull”.
– Gjatë këtyre ditëve Sali Berisha ka hequr një paralele, ku nga një anë ka mbrojtur “21 Janarin” dhe e cilëson si një protestë të dhunshme, ndërkohë që tubimin e 8 janarit që degjeneroi në dhunë para selisë së PD e cilëson si tejet paqësore. Mirëpo si shpjegohet që Berisha edhe pas 11 vitesh nuk shpreh asnjë pendesë për këtë ngjarje?
Mos u merrni më me Sali Berishën, pasi ai ka lajthitur dhe tregon përralla. Berisha përrallat i ka treguar dhe përdorur gjithmonë për argumenta. “21 Janari” është vepër e Berishës dhe padyshim që ai nuk shfaq pendesë. Por përtej kësaj, mendoj se Saliu nuk shfaq pendesë, sepse është ai që urdhëroi vrasjen e katër protestuesve.
-A mendoni se ka ende mundësi që të zbardhet dosja e “21 Janarit” dhe përgjegjësit e vërtetë të ndëshkohen? Keni një mesazh për drejtësinë…
Mendoj se mbase problem është sistemi i drejtësisë që akoma nuk është stabilizuar dhe akoma është me probleme. Nga kjo pikëpamje dhe në kushtet kur kanë mbetur shumë çështje pafund mbrapa që duhet të zbardhen, mendoj se problemi çalon tek drejtësia që edhe sot pas 11 vitesh, çështja e “21 Janarit” nuk është zbardhur. Mbase nuk janë gjyqtarët e nevojshëm, për shkak se ka mungesa nga vetingu dhe kjo situatë bën që gjërat të lihen pas dore. Por nga ana tjetër dua të theksoj se Sali Berisha nuk ka më influencë në drejtësinë e re dhe në këtë kontekst, e përjashtoj mundësinë që drejtësia heziton që të zbardhë “21 janarin” nga frika e Saliut. Gjyqtarët e Berishës i përlau vetingu, duke i flakur jashtë sistemit dhe ai s’ka më impakt, andaj dhe po ta shikosh kohët e fundit vetëm bën thirrje për revolucion paqësor, por shkoi si “pulë” në Prokurorinë e Tiranës dhe dëshmoi për dhunën që ndodhi gjatë protestës së 8 janarit të organizuar prej tij para Partisë Demokratike. Saliu s’ka më impakt dhe është i trembur nga drejtësia. Kështu që mesazhi im është që ajo ngjarje të sqarohet dhe zbardhet. Politika duhet të qëndrojë larg drejtësisë dhe jo ka ardhur koha, por ka kaluar koha, sepse “21 Janari” duhej zbardhur me kohë.
-Le të dalim pak nga ngjarja e “21 janarit” dhe të përqendrohemi tek aktualiteti politik. Ditët e fundit presidenti Ilir Meta është rikativizur, ndërkohë që ka nisur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Madje gjatë një interviste që zoti Meta dha këtë të enjte, ai nuk fshehu as “dashurinë” që ka për ish-kryeministrin Sali Berisha. Keni një koment?
Komenti im është i thjeshtë që Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë pasur gjithmonë afrimitet dhe i lidhin shumë gjëra bashkë. Meta dhe Berisha janë miq të vjetër, por që duhet thënë se të dy janë në situatë delikate… Pra komenti është që Ilir dhe Saliu shikojnë punët e tyre tani, pasi si duket nuk i kanë mirë…
-Gjithashtu nga gazetari dy ditë më parë Ilir Meta u pyet se ka zëra që ai do të shpallet “non grata” nga amerikanët, ndërkohë që ai i sfidoi duke thënë se nuk ka frikë. Kështu që më lejoni t’iu pyes, ju i besoni zërat se Meta do të shpallet “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit?
Po ju çfarë prisnit të thoshte që kam frikë. Më vjen keq, por më duhet të them se Ilir Meta ndodhet në situatë tejet të vështirë. Kjo gjë nuk është për ta komentuara, sepse duhet parë dhe do ta tregojë koha. Mirë në këtë rast jemi përballë një situatë, që vlen më shumë të thuash: “Shikoni ju të shtypit, janë ca gjëra që nuk duhen komentuar dhe në këtë rast duket fare qartë se ku fle lepuri”.
-Po lëvizja e presidentit Meta për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme lokale si ju duket. Ishte kjo një lëvizje e mirëmenduar nga Iliri Meta për të goditur Lulzim Bashën dhe forcuar marrëdhëniet me Sali Berishën…
Patjetër që qëndron. Por le ta bëjë Meta dhe Berisha aleancën, pasi ata të dy gjithmonë kanë qenë bashkë. Por sot që flasim ka një problem, pasi Sali Berisha ka ca njerëz që i shkojnë pas, ndërkohë që Ilir Metës nuk i shkon më njëri pas. Këtu e kam fjalën për mbështetjen popullore që përkthehet në votë. Mos dëgjoni Ilirin që thotë do të kthehem tek populli i 2 marsit, pasi ai prandaj është bërë nervoz, sepse e di që nuk ka më mbështetje. Plus i ndruhet të ardhmes, se çfarë ka rezervuar kjo e fundit për të. Megjithatë, zgjedhjet e pjesshme lokale në këtë moment që flasim janë interesante, pasi do të shihet se kush ka më shumë mbështetje në radhët e demokratëve, Sali Berisha apo Lulzim Basha. Mirëpo asnjë nga këta të dy nuk do të fitojë në këto zgjedhje, por në finale rezultati i tyre do të tregojë, se kush ka më shumë forcë, Saliu apo Luli.