Lajme të mira nga treshja më e famshme e ekranit

Lajme të mira nga treshja më e famshme e ekranit

423
0

Humori, batutat dhe deklaratat e forta që dolën nga programi ‘3-shat’ na i bënë më të nxehta ditët e verës që lamë pas. Ama ky program nuk mbaroi me verën. Ata do rikthehen përsëri sepse siç premtuan, do të jenë ndryshe,  pa altarë ku mund të ngrenë suksesin e tyre. ‘3-shat’ me Bora Zemanin, Romeo dhe Donald Veshajn do të rikthehet shumë shpejt në Tring. Romeo ka postuar një foto që lajmëron me humor rikthimin e këtij formati në ekran. “Është nisja e një rrugëtimi të ri, e një rruge që ndoshta do të shenjojë një prej atyre kthesave që bëjnë ndryshimin. Ndryshimet e mëdha nuk vijnë vetëm dhe as rastësisht, ndaj si një mendje, trup dhe shpirt i vetëm, ata janë tre dhe të tre bashkë synojnë të bëjnë revolucion në media”, shkruhej në numrin e verës të revistës ‘Living’ për ta.

 

Ata kanë nisur rrugëtimin e një programi humori, parimi i të cilit është të mos qeshin kurrë me veten.

 

Kanë marrë përsipër të mos e veshin realitetin me luks e zbukurime para kamerave, por të bëjnë të kundërtën, të sjellin atë çka ndodh pas kuintave. Ata bëjnë humor, i cili herë të bën të qeshësh e herë të ngulet si teh në shpirt, sepse komikja e tyre nuk është një capsule e shkëputur ekstaze, por një nyjë që të mban të lidhur fort me realitetin ku gëlojnë përplasjet, padrejtësitë, kontradiktat. Ata kanë zgjedhur të jenë kundërpedal i realitetit mediatik shqiptar dhe synojnë të sjellin diçka të re në këtë lëmë. Përmes së vërtetës dhe ironisë, do të provokojnë humor me aktualitetin, por edhe me atë që në Shqipëri mund të quhet “show biz”. Mund të keni dëgjuar për intervistat ndryshe, por ata bëjnë intervistat më ndryshe që keni parë ndonjëherë. Lutuni të mos bini në dorë të tyre, se jo vetëm që nuk do të flisni për veten, por do t’ju zhveshin nga vetja. Ata janë tre, por vlejnë sa një armatë, e aftë të pushtojë terrenin e tejngopur të falsitetit të sotëm mediatik. “Treshat” është pagëzimi i formatit të krijuar dhe sjellë prej tyre në ekranin e “Tring” dhe “Vizion Plus” që prej datës katër korrik.