“Lajm tronditës largimi i Agron Tufës”, Meta: Liria e shprehjes, një nga...

“Lajm tronditës largimi i Agron Tufës”, Meta: Liria e shprehjes, një nga parimet më të shenjta. Kambana më e fortë e alarmit, shpopullimi i vendit

311
0

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në konferencën vjetore të Avokatit të Popullit me temë “Liria pa urrejtje liria e shprehjes përballë të drejtave të tjera të njeriut” ku ka dhënë disa mesazhe të forta.

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, Meta ka përgëzuar gazetarët për punën e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit dhe iu ka uruar që viti i ardhshëm t’i më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës.

 

Kreu i Shtetit bëri një pasqyrë të gjendjes së mediave dhe gazetarëve në vend duke iu referuar raporteve të ndryshme ndërkombëtare, sipas të cilave liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar, mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu.

 

Meta e cilësoi lajm tronditës largimin e Agron Tufës, siç tha ai për shkak të kërcënimeve për shkak të detyrës dhe mendimit të tij.

 

 

 

MESAZHI I PLOTË

Liria e shprehjes është e drejta e individit dhe e komuniteteve të shprehin mendimet dhe idetë e tyre pa frikën e shpagimit, hakmarrjes, censurës apo sanksioneve ligjore. Liria e shprehjes është një nga parimet më të shenjta që mbrohet rreptësisht nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit përveç se janë të drejta kushtetuese themelore janë të lidhura ngushtësisht edhe me parimin e ndërtimit të një shteti demokratik. Për këtë arsye angazhimi i shtetit dhe shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për nivelin e demokracisë, atë të qeverisjes së mirë dhe përgjegjësisë publike në vend. Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut ka krijuar tashmë një praktikë mjaft solide të trajtimit të lirisë së shprehjes ku ndër të tjera thekson se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm. Demokracia përparon bazuar në lirinë e shprehjes.

 

Media si zëdhënëse e opinionit publik e bën pushtetin shtetëror më të prekshëm për njerëzit por edhe më të kontrollueshëm dhe më transparent në interesin e tyre. Shkëmbimi i ideve dhe informimi i lirë janë jo vetëm më të rëndësishme por edhe efikase për të kontrolluar demokracinë si formë e qeverisjes. Nëpërmjet tyre institucionet bëhen më të hapura, më efikase, më llogaridhënëse dhe më pranë qytetarit. Fatkeqësisht liria e medias në vendin tonë është përkeqësuar. Mjedisi dhe kushtet e punës së gazetarëve gjithashtu. Pas shumë viteve gazetarë i janë rikthyer protestave në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ndërsa numri i reporterëve që janë detyruar të largohen është rritur. Shqetësimet e gazetarëve të terrenit nuk dëgjohen, ndërsa disa pronarë e drejtues medias në shkëmbim të përfitimeve e kanë asgjësuar postin e kryeredaktorit të lajmeve se e bëjnë vetë.

 

Zbritja me disa vende në indeksin botëror të lirisë së medias sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve, Reporterët pa kufij, përfundimet e raportit vjetor të Freedom House se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë, konkluzionet e misionit për lirinë e medias të 7 organizatave globale sipas të cilave autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtarë për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, të kushteve të punës dhe të aksesit në informacion të gazetarëve. Po kështu raporti paraprak i para disa muajve i OSBE-ODIHR ku theksohej se media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuesve pronarëve të tyre duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën. Të gjitha këto janë kambana të forta alarmi për gjendjen shqetësuese në të cilën ndodhet sot liria e shprehjes në Shqipëri. Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të harrojnë dramën që shkaktoi bllokimi i kësaj të drejte gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste. Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të harrojnë kalvarin e vrasjeve, të dënimeve, persekutimit, vuajtjeve dhe cenimit të dinjitetit njerëzor si pasojë e mohimit të kësaj të drejte universale.

 

Është jo rastësore që pas përmbysjes së këtij regjimi në Shqipëri ndodhi një revolucion i jashtëzakonshëm mediatik, me një numër rekord për frymë popullsie të gazetave, të televizioneve dhe të radiove kombëtare dhe lokale. Zgjerimi i hapësirës dixhitale edhe në Shqipëri po ashtu shënon një numër jashtëzakonisht të mediave dhe të portaleve online duke ofruar një larmi të pamatë informacioni. Kjo platformë hapësinore është e paprecedentë jo vetëm për ne por të gjithë vendet te botës dhe padyshim që mbart si përfitimet ashtu edhe rreziqet e saj, ndër to është edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes si formë për shpërndarjen, nxitjen, promovimin apo justifikimin e urrejtjes, të dhunës, të diskriminimit nga një personi apo ndaj një komuniteti. Ndërkohë që fenomene të tilla nuk mund të lihen kurrsesi jashtë vëmendjes, nevojitet ruajtja e një balance të kujdesshme dhe të mençur ndërmjet luftës ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

 

Kufizimet ndaj gjuhës së urrejtjes nuk duhet kurrsesi të keqpërdoren me qëllim mbytjen e kritikës ndaj qeverisjes dhe të zgjedhurve, të bindjeve të ndryshme politike, të përkatësisë së besimit fetar apo të kërkesës për llogaridhënie. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka një korrelacion ndërmjet lirive civile ku përfshihet edhe liria e shprehjes dhe nivelit të demokracisë së një vendi. Sa më e konsoliduar demokracia e një vendi aq më llogaridhënese janë institucionet dhe aq më të shprehura dhe të mbrojtura janë liritë e individit. Sado dëshirëplotë dhe ambiciozë të jemi që Shqipëria të renditet një orë e më parë në majat e demokracive më të zhvilluara jemi ende realistë se gjendemi shumë larg. Por kambana më e fortë e alarmit mendoj është shpopullimi i vendit.

 

Cenimi i lirive, mungesa e llogaridhënies dhe varfëria janë ndër arsyet kryesore që motivojnë qytetarët shqiptarë të largohen nga vendi por më shumë unë mendoj që është polarizimi tërësisht artificial i jetës politike në vend dhe përdorimi pafund i gjuhës së urrejtjes në radhë të parë nga vetë politika, ajo që i demotivon shqiptarët, të rinjtë dhe sidomos ato shtresa apo kategori që kanë kërkesa të larta për jetën e tyre, të drejtat e tyre që të largohen nga vendi. Zyra mbështetëse e azilit europian në nëntor të këtij viti, pra para një muaji tregon se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria për 10 muaj të këtij viti është rritur me 16% në krahasim me vitin e kaluar 2018.

 

Ndërkohë në raport me Serbinë për 1 mijë banorë e kemi 8.2 herë më të lartë dhe me Malin e Zi 11.7 herë më të lartë. Ishte një lajm tronditës gjithashtu largimi i Agron Tufës, një shkrimtar i njohur dhe ish-drejtues i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit i cili u kërcënua familjarisht për shkak të detyrës dhe mendimeve të tij të shprehura publikisht. Ishte edhe më tronditës mosreagimi i asnjë institucioni ndaj kësaj ngjarjeje apo të tjera të ngjashme ky zyrtarë të ndryshëm gjenden para kërcënimeve të hapura dhe publike dhe nuk reagon askush. As media, as gazetarë dhe as pedagogët nuk janë dhe nuk mund të jenë armiqtë tanë ndaj të cilëve duhet të ruhemi e nuk mund të trajtohen kurrsesi si të tillë.

 

Vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet kur roli dhe kontributi i medias në denoncimin e aferave korruptive dhe veprimtarive kriminale me pasoja të rënda për shoqërinë dhe ekonominë e vendit ka qenë thelbësor. Funksionarët publikë duhet të jenë model në respektimin e dinjitetit të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim apo stereotipizmi, prandaj edhe daljet e tyre publike si edhe deklaratat në media apo rrjete sociale nuk duhet të cenojnë asnjëherë ndjeshmërinë e qytetarëve për shkak përkatësie të çfarëdolloj grupi shoqëror. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi edhe rëndësinë e madhe të lirisë së medias në drejtim të informimit në kohë reale por edhe shpëtimit të jetës të qytetarëve. Në këtë rast dua të përgëzoj publikisht të gjitha mediat, veçanërisht gazetarët e terrenit të cilët mbuluan me përkushtim, profesionalizëm dhe etikë këtë ngjarje tronditëse për Shqipërinë dhe shqiptarët duke e vënë theksin tek solidariteti dhe kujdesi për jetën e njerëzve.

Uroj që viti i ardhshëm t’i gjejë mediat dhe gazetarët shqiptarë më të lirë, më të mbrojtur, më aktivë dhe gjithmonë pranë të vërtetës në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë të informohen ashtu siç e meritojnë në bazë të të drejtave kushtetuese të tyre por kjo kurrsesi nuk mund të ndodhë me një urim dhe me një dëshirë, pasi kërkon një reflektim të të gjithë shoqërisë dhe politikës në radhë të parë. Një mjedis politik i përçarë artificialisht dhe përjashtues nxit gjuhën e urrejtjes në tërësi, ndaj urojmë që edhe tërmeti që ndodhi të shërbejë si një moment reflektimi dhe ringritje dhe bashkëpunimi pasi vetëm dialogu dhe gjithëpërfshirja na garanton një demokraci të suksesshme dhe të qëndrueshme, frymëzuese për qytetarët dhe sidomos për të rinjtë tanë në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tërmeti që lëkundi Tiranën dhe Durrësin u ndje deri në Itali. Mediat italiane zbulojnë shkakun: U krijua një çarje…

 

Tërmeti që lëkundi Tiranën dhe Durrësin pasditen e të enjtes është ndjerë deri në Itali. Mediat italiane shkruajnë se tërmeti me magnitudë 4.7, që goditi zonën midis Tiranës dhe Durrësit, u ndje edhe në Puglia dhe veçanërisht në Brindisi.

 

 

Teksa kujton tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 50 personave dhe shkatërrimin e qindra mijërave shtëpi, mediat italiane shkruajnë se sipas analizave të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, doli se shkaktar i atij tërmeti ishte një “çarje prej 85 kilometrash që u përhap nga Veri-Perëndimi dhe Jug-Lindja, midis qyteteve të Durrësit dhe Lushnjës, dhe se çarja nuk u aktivizua plotësisht”.

 

Çarja “i përket strukturave përgjegjëse për deformimin dhe mbivendosjen e sedimenteve që përbëjnë bërthamën e zinxhirit Albanidi“.

 

Besohet se një strukturë e ngjashme tektonike ka shkaktuar në Shqipëri, tërmetin me madhësi 5.8 të 21 shtatorit.