Lajme

Ky “prill i thyer”! Nga Taulanda Jupi

By vizional

April 06, 2020

Ky “prill i thyer” e theu atë grua, atë nënë, të cilën frika për të ngritur zërin dhe pamundësia për të ushqyer fëmijët ja shuajti forcën që ta jep mëmësia dhe e lëshoi në lëkundjen ndjellakeqe të litarit varur diku, në tavanin e dhomës. Përpiqem të kuptoj ç’ka menduar e mjera ajo nënë, që pasi vendosi në shtrat të vegjlit, i puthi në sy për të fundit herë, kërkoi pa zë ndjesën e faljen prej tyre dhe shkoi e u lëshua në krahët gënjeshtarë të vdekjes. Nuk e njoh, por më duket se kam parë me qindra herë, sepse vuajtja, mjerimi dhe loti duhet të kenë qenë tiparet e saj. Iku, përgjithmonë, në këtë “prill të thyer”, me frikën,me brengën e madhe dhe shijen e hidhur të lotëve të fëmijve të saj të uritur. Dhembja u thye në copa, se nuk dimë çfarë dhemb më shumë: frika për jetën apo vdekja prej urisë e skamjes?!

 

Ky “prill i thyer” në copëra lajmesh, urdhërash, ndalimesh, gjobitjesh, dënimesh dhe kërcënimesh pa fund ka të gjitha shanset të na thyejë deri në copëtim, deri në shkërmoqje. Metamorfoza që po pësojmë i kalon kufijtë e reales. Jemi të mbyllur, të ngujuar, të izoluar, shumë njerëz janë edhe të braktisur, me frikën e ushqyer si një vakt dhe gëlltitur bashkë me ujin që duket se ka marrë shije dheu. Frika po na kafshon gjumin, po tret mendimin dhe po na errëson gjykimin. Frika për jetën po përdoret si streha e vetme e shpëtimit dhe këtë qëllimshëm na e pingulin në mendje çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë me bërtitje boshe, kërcëllitje dhëmbësh, buzëqeshje të shtitura e të jargavitura apo hakërrime facebook-u. Jo! Nuk është frika , është ndërgjegjësimi streha e vetme e shpëtimit tonë, ne e dimë këtë.

 

Ky “prill i thyer” në grimca virusi vjen pa u ndier, ngadalë, heshtur, tinëz dhe bren e gërryen çdo fije shprese se mund t’ia dalësh. Ai helmon çdo mendim të lumtur se mund të jetosh edhe pak më gjatë … Ai përpin gjithçka, derisa brenda teje nuk mbetet asgjë veç dhimbjes se vuan vetëm, se vdes vetëm dhe shkon përtej i vetëm, pa lamtumirën e njerëzve të tu. Virusi që po mbështjell këtë “ prill të thyer” mund të na infektojë trupin por jo ndërgjegjen, ajo na duhet e shëndetshme për vendimet që do të marrim sapo të mbarojë ky prill apo kjo pranverë e thyer.

 

Ky prill si një kryq i thyer po na ndalon ëndrrat e dëshirat të cilat krejt natyrshëm po projektohen në një të vetme: “O Zot t’ja dalim!”, po na gjynjëzon forcën, po na rrëmben pak nga pak liritë të cilat nuk dimë kur do t’i rifitojmë, po na zhbën kohën dhe hapsirën në copa të lejueshme apo të pambërritshme, të paprekshme, po na ofron çdo ditë sinonime absurde të terrorit e dhunës dhe ndërkohë grabitqarët janë sulur drejt durimit tonë. Po nuk duhet të harrojnë se durimi i vënë në provë disa herë, kthehet në zemërim.

 

Ky “prill i thyer” mund të thyejë shumëçka: forcën, ëndrrat, dëshirat, dashuritë, buzëqeshjen, lotët , dhembjet, zemrat por nuk mundet të na thyejë besimin dhe shpresën se nesër na pret një ditë më e mirë dhe ne do të jemi aq të kthjellët, aq të vetëdijshëm sa të dimë ta zgjedhim atë ditë më të mirë.