KVV: Reforma zgjedhore ka dështuar me vullnetin e partive politike!

KVV: Reforma zgjedhore ka dështuar me vullnetin e partive politike!

399
0

Pas apelit të ndërkombëtarëve drejtuar partive politike që të punojnë më shumë me reformën zgjedhore, si një provë për integrimin e vendit, kanë reaguar forcat politike, analistë dhe së fundmi edhe aktorët e shoqërisë civile. Koalicioni i Vëzhguesve Vendore përmes një deklaratë për mediat, thotë se reforma zgjedhore është dështim i palëve me vullnet të plotë. “Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, ka shprehur shqetësimin dhe ka deklaruar në mënyrë permanente se realizimi dhe finalizimi me sukses i një Reformë Zgjedhore të thelluar e gjithë përfshirëse, e premtuar publikisht nga klasa politike në vend, ka dështuar plotësisht pikërisht me vullnetin e palëve politike. Për këtë arsye, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, rikujton se Kuvendi me vendim nr:102/2017 ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore , me qëllim hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit 2013, 2015 , 2017”.

Gjithashtu, KVV i bën thirrje përfaqësuesve të partive politike dhe drejtuesve të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore që të bëjnë transparente punën e arritur deri më tani, dhe të tregojë sesi do procedojë në vijim përmes grupit të ekspertëve. “Aktualisht Komisioni i Reformës Zgjedhore ka përfunduar afatin e veprimtarisë së tij më 21 Shkurt 2019. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 3 Prill 2019 , ka miratuar vendimin nr 45 /2019 , për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr 102/2017, ” Për ngritjen e Komisionit të posaçëm Parlamentar “, për realizimin e Reformës Zgjedhore . Të sqarohet sa më shpejt për opinionin publik, cili dhe si do jetë përfaqësuesi i PD, me statusin e vëzhguesit në këtë komision. – Të prezantojë menjëherë grupin e ekspertëve të përfshirë si dhe të qartësojë në vazhdim si do procedohet me draft propozimin-projekt ligjin e dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”.

 

Mes shumë kritikash, KVV ka një thirrje edhe për drejtuesit e partive të mëdha në vend, që të përdorin instrumentet e duhur politik për të përfunduar me sukses dhe në kohë punën e reformës zgjedhore. “Veçanërisht, të dy krerët respektivë të mazhorancës z. Rama dhe opozitës z. Basha të përdorin të gjithë instrumentet e mekanizmat demokratike, duke kontribuar me përgjegjësi e maturi të plotë, për të orientuar drejtë frymën e bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes të gjithë palëve e sa ne shumë aktorëve politikë në realizimin e Reformës Zgjedhore në kohën e duhur. Reforma zgjedhore është një ndër kushtet themelore që të hapen dhe negociatat në qershor 2019 për të qenë anëtarë të denjë në familjen europiane”, thuhet në deklaratë.

Lindita Bushgjokaj