Kuvendi vendos kundër kërkesës së Prokurorisë: Tahiri nuk prangoset

Kuvendi vendos kundër kërkesës së Prokurorisë: Tahiri nuk prangoset

381
0

Kuvendi ka votuar sot  kundër kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Raporti i mazhorancës, që autorizonte vetëm hetimin dhe kontrollin e banesës, por jo arrestimin e Tahirit, pasi sipas tyre prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, u votua me 75 vota pro dhe 50 vota kundër. Ndërsa raporti i opozitës, i cili kërkonte heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, pasi sipas saj ekzistojnë fakte të besueshme për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafik droge, si dhe veprën penale korrupsion i zyrtarëve të lartë, u votua me 60 vota pro dhe 75 vota kundër. Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur dyshime se deputeti Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprave penale të “trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë. Javën e kaluar, Prokuroria për Krimet e Rënda iu drejtua Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve me kërkesën për heqjen e imunitetit të Tahirit, me qëllim arrestimin e tij, kontrollin personal dhe të banesës. Prokuroria thotë se ka prova që e implikojnë ish – ministrin e grupin e vëllezërve Habilaj. Këta të fundit, në dosjen e përgjimeve të autoriteteve italiane e përmendin në bisedat e tyre emrin e Tahirit. Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve nuk arriti konsensusin dhe vendosi t’i drejtohet parlamentit me dy raporte, atë të opozitës, e cila mbështeste plotësisht kërkesën e prokurorisë dhe atë të mazhorancës, e cila kundërshtonte arrestimin për mungesë provash, por mbështeste hetimin dhe kontrollet ndaj Tahirit.