Kush ishin Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy poetët e pushkatuar nga...

Kush ishin Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy poetët e pushkatuar nga rregjimi komunist

694
0

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa, Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Jeta e tyre u fik nga plumbat e xhelatëve, ndërsa trupat e njomë u flakën në të njëjtën gropë. Të dy poetët e kallur nën dhè u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Diktatura i groposi, por të dy poetët kishin skalitur pavdekësinë me krijimtarinë e tyre, poezinë. Ata ishin poetë të lindur dhe i këndonin bukurisë, njeriut të thjeshtë.

 

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, ishin mësues dhe poetë të talentuar që aspironin për liri dhe demokraci, për një jetë më të mirë. Ndaj tyre u organizua një gjyq politik i inskenuar. Komiteti i Partisë së Librazhdit kishte bërë një plan masash për gjykimin dhe dënimin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Pra, në Komitetin e Partisë merreshin vendime për pushkatimin e poetëve. Edhe diskutimet që do të bëheshin në gjyqin politik, ishin përgatitur në Komitetin e Partisë dhe aty ishin caktuar gjashtë vetë për të diskutuar ato që ishin përgatitur në Komitetin e Partisë. Në planin e masave të Komitetit të Partisë, thuhej se: “Gjykatat Popullore punojnë për të realizuar vendimet e Kongresit të 7-të të PPSH”. Akuzat ishin të rënda për “krim, sabotim ekonomik, agjitacion dhe propagandë”.

 

Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”. Regjimi nuk i donte njerëzit që dinin gjuhë të huaja. Megjithëse dinte gjuhë të huaja, ai shikohej me sy të keq nga Partia e Punës dhe qeveria komuniste. Në aktakuzë thuhej se: “Vilson Blloshmi e ka filluar që në bankat e shkollës, në Normalen e Elbasanit, veprimtarinë armiqësore”. Ai i kishte thënë një shoku në shkollë se, “vendi nuk ka literaturë të bollshme dhe njerëzit nuk marrin dije”…

 

…Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruar se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike.

 

Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, në këtë numër, po japim pjesë të vendimit të Këshillit Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili, pasi shqyrton kërkesën e të dënuarve, lë në fuqi vendimin për dënimin me vdekje me pushkatim për poetët “armiq” Genc Leka eVilson Blloshmi.

 

Në përfundim të gjykimit të gjykatës së shkallës së parë Librazhd, më 13.6.1977, për 8 pjesëtarët e “Grupit armiqësor të Bërzeshtës”, ku për dy poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi kërkohet dënimi ekstrem , a i vdekjes me pushkatim, shpresa e vetme mbetet ndryshimi i kësaj mase nga KëshilliGjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Tiranë të cilit i janë drejtuar. Tre javë më pas, ky Këshill, referuar vendimit origjinal (Dosja Nr.48, faqe 356-370), nën drejtiminkryesueses Eleni Selenica, merr në analizë ankimimin. Në përfundim, ky organizëm i lartë gjyqësor i kohës, lë në fuqi vendimingjykatës së Librazhdit, duke lënë në fuqi ndëshkimin e poetëve me pushkatim.

 

Ja pjesë nga ky vendim:

 

“KëshilliGjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi relacionin e anëtarit S.Krongo, mendimin e prokurorit P.Konomi, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi e bisedoi në tërësi çështjen

 

Vëren:

 

Vendimi i gjykatës është i drejtë dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi.

 

Nga materiali i çështjes rezulton e vërtetuar se të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi, D.Blloshmi, Bedri Blloshmi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një kohë relativisht të lartë, kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar kriminale ku kanë synuar minimin e ekonomisë bujqësore dhe për të dobësuar Pushtetin Popullor. Nga këta, tre të parët kanë zhvilluar edhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor, kurse të gjykuarit e tjerë R.Çerri, R.Sula, R.Dashi për disa vjet me radhë, sistematikisht dhe në grup të organizuar me njëri-tjetrin dhe me të gjykuarit Bedri e D.Blloshmi, si dhe në bashkëpunim me A.Gocin kanë përvetësuar pasuri socialiste.

 

Siç del nga të dhënat e gjykimit, të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi e R.Dashi, janë persona me prejardhje klasore e përbërje politike shumë të keqe, rrjedhin nga familje shumë të pasura, prindërit e të afërmit e tyre gjatë luftës Nacionalçlirimtare u lidhën dhe bashkëpunuan ngushtë me pushtuesin dhe organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar, si dhe ju kundërvunë lëvizjes nacionalçlirimtare. Pas çlirimit kanë mbajtur qëndrim armiqësor ndaj pushtetit popullor. Kështu, i ati i të gjykuarit Genc Leka, B.Leka, jo vetëm që ka marrë pjesë në radhët e Ballit Kombëtar, por pas çlirimit u arratis në Jugosllavi dhe ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja duke vepruar disa herë si diversant në vendin tonë në zonën e Qukësit. Po kështu, familja e të gjykuarve të tjerë Vilson e Bedri Blloshmi(vëllezër) ka qenë e lidhur me Ballin Kombëtar dhe shtëpia e tyre pas çlirimit qe kthyer në strehë për bandat e diversantëve e të tradhtarëve si Haki Blloshmi, Bardho Leka, Hasan Blloshmi. I ati i tyre Sami Blloshmi është dënuar për krime kundër shtetit.

 

I gjykuari D.Blloshmi, megjithëse ka origjinë të varfër, por duke pasur një vëlla të pushkatuar gjatë luftës u lidh me këta armiq, duke marrë për grua vajzën e tradhtarit B.Leka, motrën e të gjykuarit Genc Leka dhe duke qenë edhe vetë egoist, llafazan e vjedhës, ra nën presionin e tyre..

 

…..Në këto kushte, kërkesat e të gjykuarve për të ndryshuar vendimin e gjykatës në lidhje me dënimet e caktuara, janë të pabaza dhe si të tilla, duhet të refuzohen.

 

Për këto arsye: Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të pikës 1 të nenit 313 të K.Pr.P, vendosi:

 

Lënien në fuqi të vendimit Nr. 45, datë 13.06.1977 të gjykatës së rrethit Librazhd.

 

Ky vendim, për të dënuarit Genc Leka e Vilson Blloshmi, në bazë të nenit 349 K.Pr.P nuk do të vihet në ekzekutim, derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

 

Tiranë më 2.7.1977

 

Anëtar S.Krongo(firma), Anëtar A.Zenko(firma) Kryesuese Eleni Selenica(firma)”

 

Aranit Çela, firmos vendimin përfundimtar

 

Fijen e fundit të shpresës për jetën, poetëve Leka e Blloshmi, ua pret shkresa e firmosur nga Aranit Çele. Ja si thuhet mes të tjerave në këtë vendim:

 

“…Siç del nga të dhënat e gjykimit të çështjes, të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi etj., janë persona me prejardhje klasore e përbërje politike shumë të keqe. Këta rrjedhin nga familje të pasura, që bashkëpunuan me Ballin Kombëtar…

 

…Gjykata e Lartë, duke e shqyrtuar në tërësi këtë çështje dhe duke pasur parasysh edhe diskutimin e masës gjatë gjykimit, lë në fuqi vendimin e Gjykatës Librazhd për dënimin me vdekje me pushkatim të të gjykuarve Genc Leka e Vilson Blloshmi. (Burimi i cituar më lart)

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela(Firma) (Burimi i cituar më lart)

 

Pushkatimi i poetëve

 

Genci dhe të Vilsonit, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Një toponim i çuditshëm. Atje jo që s’ka ujë, por as zogjtë nuk duan të kalojnë andej. Me sa duket e ndiejnë erën e vdekjes. Sipas kalimtarëve, atje rrallë mund të ndodhte të dëgjohej zëri i ngjirur i qyqes. Qyqja, siç tregon një gojëdhënë, kërkon vëllanë e vrarë nga shokët në pyll. Siç duket, edhe qyqes nuk i besohet që në të tilla humnera mund të ndodhin tragjedi të tilla.

 

Ditën që u bë zhvarrimi i trupave të Gencit dhe Vilsonit, kujton Bedri Blloshmi, plumbin e gjeta midis trupave të tyre. Kishte filluar të kalbej, ndërsa trupat e të ndierëve i kishin mbuluar rrënjët e drurëve që kishin mbirë më pas. Siç duket, i mbanin mbuluar nga ndonjë rrezik tjetër si i diktaturës, që të zhduknin çdo gjurmë mbas krimit.

 

***

 

Ditën që u bë zhvarrimi i trupave të Gencit dhe Vilsonit, kujton Bedri Blloshmi, plumbin e gjeta midis trupave të tyre. Kishte filluar të kalbej, ndërsa trupat e të ndierëve i kishin mbuluar rrënjët e drurëve që kishin mbirë më pas. Siç duket, i mbanin mbuluar nga ndonjë rrezik tjetër si i diktaturës, që të zhduknin çdo gjurmë mbas krimit.

 

Genci dhe të Vilsonit, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Një toponim i çuditshëm. Atje jo që s’ka ujë, por as zogjtë nuk duan të kalojnë andej. Me sa duket e ndiejnë erën e vdekjes. Sipas kalimtarëve, atje rrallë mund të ndodhte të dëgjohej zëri i ngjirur i qyqes. Qyqja, siç tregon një gojëdhënë, kërkon vëllanë e vrarë nga shokët në pyll. Siç duket, edhe qyqes nuk i besohet që në të tilla humnera mund të ndodhin tragjedi të tilla.

 

Ditë-netë-javë të tëra në një gjendje të tillë të tmerrshme. Edhe e drejta për të përtypur dy kafshatë bukë, megjithëse ata nuk kishin uri e etje, nuk mund të realizohej. Edhe këtë shërbim ua kryenin policët e dubluar…Poetët, e jo vetëm ata, e kanë kuptuar se shpresa për falje jete, tashmë do të ishte vetëm një shpresë. Thuhet për çdo rast e për çdo rrethanë se, shpresa vdes e fundit…